Pagesa mesatare për 100 kilovat orë energji elektrike për amvisëritë në vendet e Bashkimit Evropian (BE) është rritur me 15 për qind duke shkuar në 25,30 euro në gjysmën e parë të këtij viti, krahasuar me 22 euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, treguan sot të dhënat e Eurostatit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Energjia elektrike më e lirë midis vendeve anëtare të BE-së u regjistrua në Holandë, ku familjet holandeze paguajnë 5.95 euro për 100 kilovat/orë energji elektrike, e pasuar nga Hungaria me 9,48 euro, Bullgaria me 10,93 euro dhe Malta me 12,93 euro.
Ndër vendet anëtare të BE-së, Danimarka kishte faturat më të larta të energjisë elektrike për gjysmën e parë të vitit. Banorët në Danimarkë paguanin 45,59 euro për 100 kilovat orë energji elektrike, pasuar nga Belgjika 33,77 euro, Gjermania 32,79 euro dhe Italia me 31,15 euro për kilovat/orë.
Rritja më e lartë e çmimeve të energjisë elektrike është regjistruar në Çeki me 62 për qind, Letoni me 59 për qind dhe Danimarkë me 57 për qind.
Megjithatë, subvencionet dhe kufizimet e çmimeve arritën në uljen e çmimeve të energjisë elektrike në pesë vende të BE-së: Holanda me 54 për qind, Sllovenia me 16 për qind, Polonia me 3 për qind dhe Portugalia dhe Hungaria me nga 1 për qind.
Çmimi më i lartë i gazit natyror u regjistrua në Suedi
Në gjysmën e parë të vitit, çmimi mesatar për 100 kilovat/orë gaz natyror për amvisëri në vendet e BE-së është regjistruar në 8,60 euro, nga 6,40 euro vitin e kaluar.
Çmimi më i lartë është regjistruar në Suedi me 22,16 euro për 100 kilovat/orë, e ndjekur nga Danimarka me 16 euro, Holanda me 12,93 euro dhe Estonia me 11,06 euro.
Ndër vendet anëtare të BE-së, konsumi më i përballueshëm i gazit natyror ishte në Hungari pasi familjet në Hungari paguanin mesatarisht 2,91 euro për 100 kilovat/orë gaz natyror.
Vendi me rritjen më të lartë të çmimeve të gazit ishte Estonia me 154,3 për qind. Ndërsa në Hungari, ku çmimet e gazit janë të kufizuara, çmimet shënuan rënie me 0,5 për qind.