Infrastruktura e fibrave optike të Francës u përball me akte të shumta vandalizmi mëngjesin e sotëm, pas sabotazhit të së premtes që kishte për shënjestër rrjetet hekurudhore, transmeton Anadolu.
Sipas policisë, incidentet prekën kryesisht instalimet që u përkisnin operatorëve telefonik SFR dhe Bouygues, duke prekur të paktën gjashtë rajone në të gjithë vendin.
“Kabllot u prenë në kutitë elektrike të këtyre kompanive në Herault, Bouches-du-Rhone, Oise, Meuse, Drome dhe Aude”, tha një burim policor për mediat lokale.
Raportohet se telefonia fikse është më e prekur se ajo celulare ndërsa ende nuk dihet shkalla e dëmit dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë.
Një hetim u nis pasi një zjarr shpërtheu në një antenë pranë qytetit Toulouse. Prokuroria po shqyrton pretendimet për autorë “ultra-të majtë” anti-olimpik pasi një etiketë “Jo Olimpiadës” u gjet pranë skenës së zjarrit.
Tre ditë pas sabotimit të rrjetit të kompanisë publike hekurudhore SNCF, që ndodhi në ditën e ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike në Paris, policia franceze arrestoi një aktivist të së majtës ekstreme të dielën.
Aktivisti 29-vjeçar ishte i njohur për inteligjencën vendase për anëtarësimin e tij në lëvizjen e majtë. Policia gjeti elemente që sugjeronin se ai mund të planifikonte të kryente akte vandalizmi dhe ai u arrestua në Rouen.
Në orën 4 të mëngjesit të premten e kaluar, kabllot me fibra optike që qarkullonin pranë binarëve dhe siguronin transmetimin e informacionit të sigurisë për drejtuesit u prenë dhe u vunë në flakën në pika të ndryshme strategjike në Croisilles, Pagny-Sur-Moselle dhe Courtalain.
Kompania publike hekurudhore SNCF njoftoi të dielën se puna e riparimit ishte “përfunduar plotësisht” dhe se nuk do të kishte “asnjë ndërprerje të mëtejshme” për pasagjerët, duke filluar nga e hëna.
Ministri i Transportit, Patrice Vergriete siguroi se “të gjithë trenat” në rrjetin hekurudhor të shpejtësisë së lartë franceze po funksiononin “normalisht” të hënën në mëngjes.