Në rajonin rus Belgorod në kufi me Ukrainën janë vendosur njësitë vullnetare çeçene, transmeton Anadolu.
Deputeti i Dumës, dhomës së ulët të Parlamentit rus dhe një prej komandantëve të njësive çeçene, Adam Delimkhanov, përmes mediave sociale tha se njësitë çeçene përmbushin detyrën e tyre bashkë me forcat e Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
Delimkhanov theksoi se njësitë vullnetare çeçene “Akhmat” vazhdojnë aktivitetet e tyre në Kherson, Zaporizhzhia, Lugansk dhe Donetsk, si dhe shtoi se njësitë përparojnë edhe në njësinë e vendbanimit Marinka.
“Tashmë përleshemi në kufirin në rajonin Belgorod. Më e rëndësishmja është se kemi çdo gjë të nevojshme për të përmbushur detyrën tonë”, tha Delimkhanov.
– Sulmet kundrejt rajonit Belgorod
Në muajt e fundit janë rritur sulmet nga forcat ukrainase në rajonin Belgorod, i cili ndodhet në kufirin e Rusisë me Ukrainën. Autoritetet e rajonit theksojnë se nga Ukraina kryhen vazhdimisht sulme me artileri dhe mjete ajrore pa pilot (dronë).
Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, muajin e kaluar njoftoi se në rajon është infiltruar grupi i sabotazhit nga Ukraina dhe se ndaj këtyre është ndërmarrë operacion.
Veprimet e forcave ukrainase në kufirin e vendit, Rusia i ka cilësuar si “sulme terroriste”.
Për shkak të sulmeve që ka kryer ushtria ukrainase, në rajon u ngrit një qendër evakuimi e përkohshme dhe në këto qendra u evakuuan qindra njerëz të cilët jetonin në vendbanimet pranë zonës kufitare.
– Deklarata e presidentit Putin për “zonë sanitare”
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, njoftoi se mund të krijojnë një “zonë sanitare” në territoret e Ukrainës për të penguar qasjen në territoret ruse dhe në përgjigje të sulmeve të kryera ndaj rajonit Belgorod që ndodhet në kufirin e vendit të tij.