RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia: Do të zhvillojmë bashkëpunimin ushtarak me Afrikën

rusia:-do-te-zhvillojme-bashkepunimin-ushtarak-me-afriken

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergey Shoigu deklaroi se Ministria ruse e Mbrojtjes do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin me vendet afrikane në fushën ushtarake dhe ushtarako-teknike, transmeton Anadolu.

Shoigu foli në Konferencën Ndërkombëtare të Sigurisë në Moskë të organizuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Duke theksuar se vendet perëndimore janë të shqetësuara për rënien e rendit botëror unipolar, Shoigu tha: “Duke pasur frikë nga rënia e botës unipolare dhe konflikti i hapur me një kundërshtar të fortë ushtarakisht, Perëndimi po provokon konflikte rajonale në mbarë botën. Qëllimi i një politike si kjo është të dobësojë rivalët, të mbajë kontrollin mbi burimet, të zbatojë rregullat e veta të jetës dhe të kundërshtojë konsolidimin e opozitarëve”.

Ai ka theksuar se ushtritë e vendeve afrikane duhet të bëhen më moderne. “Ne besojmë se vendet afrikane duhet të kenë forca të armatosura moderne të trajnuara, të pajisura mirë dhe të afta për t’iu përgjigjur në mënyrë të pavarur sfidave dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së tyre”, tha Shoigu.

Duke thënë se Rusia do të vazhdojë bashkëpunimin e saj ushtarak me Afrikën, Shoigu tha se “Ministria ruse e Mbrojtjes do të vazhdojë të zhvillojë bashkëpunimin me vendet afrikane në fushën ushtarake dhe ushtarako-teknike”.

“Resurset ushtarake të Ukrainës janë pothuajse të shteruara”

Duke deklaruar se ushtria ukrainase nuk mundi të arrinte rezultatet e dëshiruara megjithë ndihmën e gjerë të vendeve perëndimore, Shoigu tha: “Ne mund ta ilustrojmë këtë situatë me kundërsulmin (të Ukrainës), për të cilin flitet gjerësisht. Rezultatet e para në betejë tregojnë se burimet e ushtrisë Ukrainës janë pothuajse të shteruara”.

Shoigu nënvizoi se SHBA-ja, nën retorikën e ndihmës për Ukrainën, ka shteruar municionin e partnerëve të saj, duke krijuar kështu tregje të reja për produktet e veta të industrisë së mbrojtjes.

Related posts

SHBA, rritet në 26 numri i të vdekurve nga stuhia e acartë

admin

Shefi i OKB-së përshëndet udhëheqjen e qeverisë turke dhe Zonjës së Parë në luftën kundër mbetjeve – VIDEO

rezart morina

Numri i të vdekurve në Rripin e Gazës i kalon 28,000

admin6