RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rusia “e tronditur” nga sulmi izraelit ndaj kampit të tendave në Rafah

rusia-“e-tronditur”-nga-sulmi-izraelit-ndaj-kampit-te-tendave-ne-rafah

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka shprehur tronditje për sulmin ajror izraelit të së dielës, që shkaktoi një zjarr dhe vrau 45 njerëz në Rafah në jug të Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Sulmi ndodhi pranë bazës logjistike të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) në Tal al-Sultan.

“Për çdo person normal, ky informacion, i konfirmuar nga faktet dhe pamjet, shkakton vetëm një reagim, tronditje”, tha Zakharova në përgjigje të një pyetjeje nga Anadolu gjatë një konference për media në Moskë.

Ajo uroi shërim të shpejtë për të gjithë të plagosurit dhe përcolli ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe popullin palestinez.

“Është veçanërisht për të ardhur keq që kjo tragjedi ndodhi në një qytet me tenda për refugjatët, një vend ku, sipas autoriteteve izraelite, njerëzit që u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre mund të strehoheshin nga bombardimet, të ndjeheshin të sigurt dhe të shpëtonin nga lufta”, theksoi Zakharova.

Zëdhënësja shprehu keqardhje që i gjithë Rripi i Gazës është kthyer në një zonë të pandërprerë rreziku, duke paraqitur kërcënime eminente për banorët e saj.

Zakharova ia atribuoi tragjedinë shpërfilljes së palës izraelite për rezolutat e shumta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Asamblesë së Përgjithshme, të cilat kërkonin ndërprerje të menjëhershme të armiqësive në Gaza dhe vendosjen e qasjes së shtuar humanitare në enklavë.

“Në këtë drejtim, ne bëjmë thirrje për zbatimin e menjëhershëm të këtyre rezolutave, të cilat do të siguronin vendosjen e një armëpushimi afatgjatë, do të ofronin ndihmën e nevojshme për banorët e Rripit të Gazës dhe do të krijonin kushte për transferimin e përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit në planin politik dhe diplomatik”, tha ajo.

Izraeli ka nisur ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, duke vrarë më shumë se 36 mijë palestinezë dhe duke plagosur mbi 81.500 të tjerë, pas sulmit të Hamasit në të cilin Tel Avivi pretendon se janë vrarë 1.200 njerëz.

Gjatë pothuajse tetë muajsh të luftimeve, zona të gjera të Gazës janë shndërruar në rrënoja, mes një bllokade shkatërruese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të fillonte pushtimi më 6 maj.

Related posts

Rrëfimi i viktimës: Isha shtatzënë, më dhunuan në sy të fëmijëve

rezart morina

Mesxhid Al-Aksa pothuajse e zbrazët në namazin e xhumasë për shkak të kufizimeve izraelite

rezart morina

Presidenti Erdoğan zhvilloi takime intensive diplomatike në Samitin e Liderëve të G20

admin