Rusia ka dalë me kërcënim të ri ndaj Perëndimit, shkaku i diskutimeve që po zhvillohen për t’ia lejuar apo jo Ukrainës përdorimin e armëve perëndimore për t’i sulmuar caqet brenda territorit rus. Derisa Perëndimin e kërcënoi me përshkallëzim të pakontrollueshëm të luftës, Ukrainën e paralajmëroi me shkatërrim të Kievit po qe se merret vendimi për armët
Zyrtarë rusë e kanë kërcënuar Perëndimin me përshkallëzim të pakontrollueshëm të luftës e Ukrainën me shkatërrimin e Kievit, teksa liderë perëndimorë janë duke diskutuar nëse do t’ia lejojnë Ukrainës përdorimin e armëve të tyre për t’i sulmuar caqet në brendi të territorit rus.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se plani për të arritur fitore ndaj Rusisë varet nga vendimi i Uashingtonit, në një referencë të qartë për autorizimin e sulmeve me armë me rreze të gjatë të veprimit, që Kievi e kërkon prej kohësh nga aleatët në NATO.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, që tani ushtron detyrën e kryetarit të Këshillit të Sigurisë, ka kërcënuar se Kievi do të shndërrohet në “një pikë të shkrirë të hirtë” nëse zbuten kufizimet kundër përdorimit të armëve perëndimore nga Ukraina. Ai ka thënë se Perëndimi duhet ta kuptojë që “durimi i Rusisë ka fund”.
“Çfarë mendojnë udhëheqësit perëndimorë dhe institucionet e tyre duke luajtur në luftë, se cili do të jetë reagimi i shtetit tonë ndaj sulmeve të mundshme raketore ‘thellë brenda territorit të Rusisë?’”, ka shkruar Medevedev në Telegram. Ai ka thënë se një konflikt bërthamor “është shumë i keq, me rezultat shumë të vështirë”. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Rusia s’ka vendosur t’i përdorë deri në këtë pikë armët bërthamore. Megjithatë, ai ka shtuar se nëse do të vijë deri te përdorimi i armëve bërthamore në vendin ku ndodhet Kievi, do të krijohej “një pikë gjigante e shkrirë”.
Teksa vendim zyrtar që Perëndimi t’ia lejojë Ukrainës përdorimin e armëve të tija brenda Rusisë nuk është shpallur, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka pretenduar se ai tanimë është marrë dhe se Moska zyrtare do të kundërpërgjigjet.
“Vendimi është marrë, është hedhur në letër dhe kjo i është shprehur Kievit, kështu që ne jemi gati për gjithçka. Dhe do të reagojmë në një mënyrë që nuk do të jetë e bukur”, ka thënë Ryabkov.
E kryeministri britanik, Keir Starmer, nuk ka dhënë sinjale se në takimin që e pati të premten me presidentin amerikan, Joe Biden, pati vendim lidhur me çështjen. Kur u pyet nëse e kishte bindur Bidenin që ta lejonte Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë “Storm Shadow” në Rusi, Starmer ka thënë se kanë pasur diskutim të gjatë dhe produktiv për disa çështje, duke përfshirë Ukrainën, Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësorin. “Storm Shadow” prodhohen nga Britania dhe Franca.
“Ky nuk ishte takim për një çështje të veçantë. Nuk ishte kjo arsyeja përse u takuam. Takimi ishte për të pasur diskutim strategjik, në mënyrë që vendimet taktike të mund të shiheshin brenda strategjisë më të gjerë”, është shprehur Starmer.
Presidenti rus, Vladimir Putin, prej kohësh i ka paralajmëruar vendet perëndimore që të mos ia lejojnë Ukrainës përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për ta sulmuar territorin e shtetit të tij. Ai pati thënë se dhënia e një leje të tillë do të nënkuptonte pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të NATO-s në luftën e Ukrainës.
Deri më sot, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe nuk ia kanë dhënë këtë leje Ukrainës, nga droja e përshkallëzimit të luftës. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje vazhdimisht aleatëve që të autorizojnë përdorimin e tillë, duke thënë se kjo është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës.
Qëkur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, qytetet dhe linjat e frontit ukrainas kanë qenë nën bombardime të përditshme nga Rusia. Shumë nga raketat dhe bombat që godasin pozicionet ushtarake të Ukrainës, blloqet e banesave, objektet energjetike dhe spitalet lëshohen nga aeroplanët rusë thellë brenda Rusisë.