Rusia pretendon se një raketë hipersonike Kinzhal goditi një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot të prodhuar nga SHBA-ja në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, gjatë sulmeve të mbrëmshme ajrore, transmeton Anadolu.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon në një deklaratë se ka kryer “sulme të përqendruara” me armë ajrore dhe detare me rreze të gjatë veprimi në pikat e dislokimit të forcave të armatosura ukrainase.
Në deklaratë thuhet se Rusia goditi objektet e magazinimit që përmbanin municione, armë dhe pajisje të dorëzuara nga perëndimi, duke pretenduar se të gjitha objektivat u goditën.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se gjatë ditës, sistemet ruse të mbrojtjes ajrore goditën shtatë raketa Storm Shadow, tri raketa HARM dhe shtatë raketahedhës të shumëfishtë HIMARS.
Më herët, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, përmes një postimi në Twitter njoftoi se gjashtë raketa hipersonike Kinzhal u rrëzuan mbi Kiev.
“Faleminderit anëtarëve të shërbimit tonë të Forcave Ajrore dhe shteteve tona partnere, të cilët investuan në sigurimin e qiejve mbi Ukrainën dhe gjithë Evropën”, tha Reznikov, duke shtuar se armët ruse “mund dhe duhet të kundërshtohen nga ato perëndimore”.
Përpos kësaj, Drejtoria e Komunikimeve Strategjike e Ukrainës pretendon se u rrëzuan nëntë raketa Kalibr dhe tri raketa balistike.
Drejtoria shtoi se Rusia përdori dronët Shahed gjatë sulmeve dhe gjithashtu kreu operacione të zbulimit ajror me tre dronë operativo-taktikë.