Sipas njoftimeve nga Ukraina, forcat ruse kanë vazhduar me sulme ajrore kundër infrastrukturës civile të Ukrainës duke shkatërruar një kyç hekurudhor dhe duke dëmtuar rëndë ujësjellësin e Pokrovskut ku edhe është përqendruar pjesa më e madhe e tentimeve ruse për të shpërthyer frontin.
Sipas ukrainasve, vetëm gjatë 24 orëve të kaluara, forcat ruse tentuan që ta thyejnë frontin 23 herë por, mbrojtësit, çdo herë arritën t’i detyrojnë të kthehen duke shkaktuar humbje në njerëz dhe teknologji.
Gjithashtu ka njoftime se Rusia ka tentuar disa sulme të dështuara drejtë qytetit ukrainas dhe se forcat ruse kanë filluar kundër-ofanzivën në rajonin e Kurskut në tentim të ri-marrjes së territorit që kontrollohet prej ukrainasve.
Njëkohësisht, Danimarka dhe Britania e Madhe kanë thënë se Kievi tani mund të përdorë armët e tyre për të goditur caqe strategjike brenda Rusisë, përderisa SHBA-të kanë bërë të ditur se janë duke i përfunduar planet për marrjen e një vendimi të tillë.
Kievi zyrtar, me muaj, thotë se kufizimet në përdorimin e armeve perëndimore po e pengojnë luftën e tyre kundër okupatorit përderisa Moska ka paralajmëruar perëndimoret kundër një lëvizje të tillë duke thënë se goditja e caqeve brenda Rusisë me arme nga perëndimi do të ketë pasoja.
The post Rusia vazhdon me sulme ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës first appeared on Radio Televizioni Iliria.