RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Samiti në Qipro, Merz sugjeron lehtësim gradual të sanksioneve kundër Teheranit

samiti-ne-qipro,-merz-sugjeron-lehtesim-gradual-te-sanksioneve-kunder-teheranit

Propozimi i kancelarit gjerman, Friedrich Merz, që Bashkimi Evropian të lehtësojë sanksionet ndaj Teheranit si pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit në Iran, ka ngjallur diskutime mes udhëheqësve evropianë.

Në një samit informal të BE-së në Qipro, Merz tha se lehtësimi gradual i sanksioneve mund të jetë një kontribut i BE-së për të çuar përpara procesin e paqes.

“Lehtësimi i sanksioneve mund të jetë pjesë e procesit. Askush nuk e kundërshtoi këtë. Është, le të themi, kontributi ynë për ta çuar përpara këtë proces dhe për të arritur një armëpushim të përhershëm,” – u shpreh Merz.

Sanksionet ndaj Iranit janë vendosur prej vitesh nga BE, duke përfshirë ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve për individë e kompani, si përgjigje ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, aktivitetit bërthamor dhe mbështetjes ushtarake për Rusinë.

Megjithatë, udhëheqës të tjerë evropianë kanë shfaqur rezerva. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se është ende herët për të folur për lehtësimin e sanksioneve:

“Është shumë herët për të folur për këtë çështje,” – deklaroi Costa.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se çdo hap i tillë duhet të kushtëzohet nga ndryshime konkrete në sjelljen e Iranit:

“Ne besojmë se heqja e sanksioneve duhet të kushtëzohet nga verifikimi i deeskalimit, në veçanti nga përparimi në përpjekjet ndërkombëtare për të kufizuar kërcënimin bërthamor dhe një ndryshim në represionin ndaj popullit të Iranit,” – tha ajo.

Nga ana tjetër, zyrtarë amerikanë kanë sugjeruar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse që mbulon programet bërthamore dhe balistike të Iranit, si dhe hapja e Ngushticës së Hormuzit, mund të krijojë bazat për një paqe të qëndrueshme.

Related posts

Shpërthen sërish vullkani në Islandë, për herë të gjashtë që nga dhjetori

admin

SHBA dërgon 100 milionë dollarë ndihmë shtesë për Turqinë dhe Sirinë

Muhamet Ramadani

Mjekët musliman do të mbajnë seanca të ndihmës së parë falas në xhamitë përreth Australisë

Muhamet Ramadani