RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore përfundon me deklaratë të përbashkët

samiti-ukraine-evropa-juglindore-perfundon-me-deklarate-te-perbashket

Në Shqipëri është mbajtur Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore, me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Evropës Juglindore dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa në fund të punimeve të samitit është publikuar një deklaratë e përbashkët.

Në deklaratën e publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë thuhet se agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare.

“Ky akt agresioni është i papranueshëm; është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklaratës, sot në Tiranë, “ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën dhe shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës”.

“Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër agresionit rus për aq kohë sa duhet për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, theksohet se i bëhet thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.

“Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson të Ukrainës”, thekson deklarata.

Gjithashtu, theksohet se në samit “shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, e cila është në përputhje me Qëllimet dhe Parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces”.

“Aleatët e NATO-s dhe vendet aspirante lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejt anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë. Ne nënvizuam angazhimin tonë të vendosur dhe për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizore nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”, thuhet ndër të tjerash në deklaratë.

Related posts

Presidenti amerikan mirëpret zgjatjen e mandatit të kreut të NATO-s

rezart morina

Qindra mijëra haxhinj falën namazin e xhumasë në Xhaminë e Shenjtë në Mekë

rezart morina

Talibanët afganë kundërshtojnë raportin e OKB-së për grupet militante në Afganistan

admin6