Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez premtoi një ndihmë të re për Ukrainën me vlerë 55 milionë euro (60.1 milionë dollarë) gjatë vizitës së tij dje, në Kiev.
“Fondet synojnë të ndihmojnë në financimin e kompanive të vogla dhe të mesme në Ukrainë”, tha Sanchez gjatë fjalimit të tij në parlamentin ukrainas.
Sánchez mbërriti në Kiev dje në mëngjes, ditën e parë të presidencës gjashtëmujore të Madridit në Bashkimin Evropian.
Qëllimi i vizitës së tij, ishte të përcillte në Ukrainë solidaritetin e vazhdueshëm të Evropës me vendin e luftuar.
“BE-ja do ta ndihmojë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme, pavarësisht nga çmimi që duhet paguar”, tha ai.
Gjatë fjalimit të tij në Verkhovna Rada, parlamenti ukrainas, Sánchez kujtoi se BE-ja përfaqëson një projekt paqeje, i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore për të parandaluar luftëra të reja.
“Evropa është e hapur për ata që e aspirojnë atë, ne do të mbështesim aspiratat e Kievit për anëtarësim në BE”, tha ai. /atsh