Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili po qëndron në vizitë në Bosnje e Hercegovinë (BeH), ka vizituar Varrezat e Dëshmorëve “Kovaçi” në Sarajevë, ku ka vendosur lule dhe ka kënduar Fatihanë para varrit të presidentit të parë të Republikës së BeH-së, Alija Izetbegoviq, raporton Anadolu Agency (AA).
Në varrezat “Kovaçi”, Erdoğan u prit nga një numër i madh qytetarësh me flamuj turq, me të cilët presidenti i Turqisë zhvilloi një bisedë të shkurtër dhe bëri foto.
Gjatë vendosjes së luleve, presidentit Erdoğan iu bashkuan Shefik Xhaferoviq, Kryetar i Presidencës së BeH-së dhe Bakir Izetbegoviq, zv/kryetar i parë i Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, si dhe Bisera Turkloviq, Ministre e Punëve të Jashtme të BeH-së. Pjesë nga Kur’ani dhe lutje u lexuan nga kryetari i Çështjeve Fetare të Turqisë (Diyanet), Ali Erbaş
Presidenti Erdoğan gjatë vizitës në varrezat “Kovaçi” u shoqërua nga ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu; ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu; ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar; ministri i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank; ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Vahit Kirişci; ministri i Tregtisë, Mehmet Muş; ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu; kreu i Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë, Ismail Demir; si dhe përfaqësues të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti).
Pas vizitës në Kovaci, Erdoğan, i shoqëruar nga delegacioni, vizitoi edhe ndërtesën e sapo hapur administrative të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnje e Hercegovinës, ku u prit nga kreu i Rijasetit, Husein Kavazoviq. Presidenti turk shfrytëzoi rastin dhe iu drejtua me një fjalim myftinjve dhe imamëve të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Bosnje e Hercegovinës. /aa