Mësimdhënësit janë ende në grevë që nga 1 shtatori, shkaku që Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e SBASHK-ut për shtesat prej 100 eurove për punonjësit e arsimit.
Edhe pas takimeve të zhvilluara, kreu i SBASHK, Rrahman Jasharaj nuk ka arritur të bindë kryeministrin Albin Kurti për të plotësuar kërkesat e mësimdhënësve, shkruan lajmi.net.
E mospajtimet mes Qeverisë dhe SBASHK-ut, e ka marrë në dorë t’i zgjidhë Avokati i Popullit, Naim Qelaj.
Pasi ka pranuar komentet e të dy palëve rreth grevës në arsim dhe kërkesave ndaj Qeverisë, Avokati i Popullit në kuadër të angazhimit si ndërmjetësues mes palëve për zgjidhjen e situatës së krijuar ka bërë të ditur sot se me qëllim që të arrihet marrëveshje mes palëve, Avokati i Popullit i është drejtuar Qeverisë dhe SBASHK-ut me një draft marrëveshje në të cilën ka mundësuar një zgjidhje të mundshme.
Paraprakisht, ky institucion ka marrë komentet nga palët e përfshira, duke analizuar kërkesat e tyre.
Në anën tjetër, lajmi.net ka siguruar letrën e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës – SBASHK, drejtuar Avokatit të Popullit.