RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Në BE hidhet ushqim më shumë se sasia e importuar

ne-be-hidhet-ushqim-me-shume-se-sasia-e-importuar

Vendet e Bashkimit Evropian (BE) çdo vit po hedhin më shumë ushqime sesa sasia që importojnë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Byroja Evropiane e Mjedisit, e cila është rrjeti i përbashkët i organizatave joqeveritare që punojnë në fushën e mbrojtjes së mjedisit në vendet evropiane, ndau me publikun raportin për prodhimin dhe konsumin e ushqimit.

Sipas raportit, vendet e bllokut evropian në vitin 2021 importuan 138 milionë tonë produkte bujqësore për të cilat janë paguar 150 miliardë euro, ndërkohë në të njëjtin vit u hodhën 153.5 milionë tonë ushqim.

Gruri u përmend si një shembull i ushqimit të shpërdoruar, pasi thuhet se sasia e grurit të shpërdorur nga vendet e BE-së është rreth gjysma e eksportit të grurit të Ukrainës dhe një e katërta e eksporteve të tjera të grurit të BE-së.

Sipas hulumtimeve të organizatave mjedisore, një e pesta e prodhimit të ushqimit në BE shkon dëm pa u konsumuar. Vlerësohet se çdo vit shpërdorohen rreth 143 miliardë euro.

Gjithashtu thuhet se hedhja e kësaj sasie ushqimi është burimi i 6 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë.

Në thirrjen e tyre drejtuar vendeve të BE-së, organizatat mjedisore kërkuan që të vendosen në zbatim rregulla detyruese për të reduktuar përgjysmë sasinë e ushqimit të hedhur në plehra deri në vitin 2030 dhe që Komisioni i BE-së të përgatisë një propozim ligjor që do të jetë i pari në botë për këtë subjekt.

Komisioni i BE-së pritet të vendosë objektiva të detyrueshëm në këtë drejtim deri në fund të vitit. Këto rregulla synohen të miratohen në vitin 2023, pas diskutimit nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) njoftoi se çmimet globale të ushqimeve u rritën 8 për qind muajin e kaluar.

Çmimet e grurit, misrit dhe sojës tejkaluan gjithashtu kufijtë të arritur gjatë krizës financiare globale në vitin 2008 pas luftës në Ukrainë.

Ekspertët thonë se edhe nëse lufta në Ukrainë përfundon, çmimet e ushqimeve do të mbeten të larta për një kohë për shkak të çmimeve të larta të energjisë dhe plehrave.

Related posts

Pakistan, policia rrethon rezidencën e ish-kryeministrit Khan në përpjekje për ta arrestuar

admin

Shpresat për të mbijetuar në Turqi dhe Siri po fillojnë të shuhen

admin

Greqia e fundit në BE për lirinë e medias

admin