Kancelari gjerman Olaf Scholz u shpreh të martën në Berlin kundër bilateralizimit të procesit të zgjerimit të BE-së.
Scholz e tha këtë në përgjigje të një pyetjeje për mosmarrëveshjet e fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë, gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin grek, Kyriakos Micotaqis.
Kancelari socialdemokrat theksoi se në të gjitha mosmarrëveshjet midis vendeve të rajonit, Berlini është në anën e procesit të anëtarësimit në BE, sepse dëshiron që kandidatët për anëtarësim ta arrijnë atë sa më shpejt.
“Në të kaluarën, jam angazhuar shumë me vende të ndryshme për të siguruar që të mos ketë asnjë bilateralizim që do të pengonte përparimin e këtij procesi dhe po punojmë që kjo të vazhdojë të jetë e mundur në të ardhmen”, tha ai.
Scholz tha se është e nevojshme të shkohet drejt afrimit të mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilave iu dha premtimi për anëtarësim pikërisht 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut 2003.
Kancelari gjerman tha se shpreson të ketë “përparime dhe në grindjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, ndërsa theksoi se “po punojmë shumë për të zgjidhur situatën vërtet të vështirë mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Ne jemi gjithmonë në anën e procesit të anëtarësimit”, tha kancelari gjerman.
Komisioni Evropian ka rekomanduar fillimin e bisedimeve me Shqipërinë për tre grup-kapitujt deri në fund të vitit 2023. Këta kapituj janë nga më të rëndësishmit pasi kanë të bëjnë me demokracinë, funksionimin e institucioneve demokratike dhe prokurorimet publike.
Që bisedimet të hapen duhet mbështetja unanime e 27 vendeve në Këshillin Evropian të shteteve anëtare të BE.
Më 11 nëntor, Greqia vendosi të mos i bashkohet shteteve të tjera anëtare të BE-së për të plotësuar kërkesën e komisionit Evropian drejtuar Këshillit Evropian për hapjen e negociatave për tre grup-kapitujt e parë. Shkak për këtë është mbajtja ende në burg e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
52-vjeçari u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023 dhe akuzohet për shit-blerje votash. Autoritetet greke e konsideruan arrestimin dhe burgosjen e Fredi Belerit një “cenim të shtetit të së drejtës, shkelje të të drejtave civile, mosrespektim të të drejtave politike”.
Dy liderët evropianë ishin takuar edhe një ditë më parë në një grup të vogël pune, me liderë të ndryshëm të disa vendeve të BE-së, si Hungaria, Qipro, Sllovakia, në një darkë që kishte dhënë të hënën në mbrëmje presidenti i Këshillit të BE-së Charles Michel në Berlin. Darka kishte si synim dakordimin mes vendeve për një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me të ardhmen e BE-së. /DW/