RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Seanca e përbashkët e qeverive Kroaci-BeH: “Rruga e Sarajevës drejt BE-së më e rëndësishme se kurrë”

seanca-e-perbashket-e-qeverive-kroaci-beh:-“rruga-e-sarajeves-drejt-be-se-me-e-rendesishme-se-kurre”

Në Zagreb ka filluar seanca e përbashkët e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, raporton Anadolu.

Në rendin e ditës së seancës së përbashkët janë një sërë përfundimesh me interes të përbashkët për Bosnjë e Hercegovinën dhe Kroacinë, të cilat do të përmirësojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe.

Para seancës u mbajt një takim mes kryesueses së Këshillit të Ministrave të BeH-së Borjana Krishto dhe kryeministrit të Kroacisë Andrej Plenkoviç. Pas seancës është planifikuar nënshkrimi i marrëveshjeve.

Ndër temat e seancës është bashkëpunimi dhe ndihma për BeH-në në procesin e anëtarësimit në BE, si dhe bashkëpunimi ndërkufitar dhe zhvillimor, programet evropiane të bashkëpunimit ndërkufitar dhe rajonal, bashkëpunimi në fushën e shfrytëzimit të Fondeve të BE-së, bashkëpunimi në fushën e trajnimit diplomatik dhe në kuadër të organizatave dhe iniciativave ndërkombëtare dhe rajonale.

Në rend dite është edhe ndërtimi i Qendrës së Deponimit të Mbetjeve Radioaktive në lokacionin Çerkezovac në Trgovska Gora në Kroaci, si dhe ndikimi i projektit “Horizontet e Epërme” në pellgun e lumit Neretva.

Po ashtu është planifikuar dhe nënshkrimi i marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe qeverisë kroate për rindërtimin e urës Brçko (BeH) – Gunja (Koraci) dhe marrëveshjes për rindërtimin e urës Novi Grad (BeH) – Dvor (Kroaci).

Në plan është edhe iniciativa për përmbylljen e marrëveshjes së bashkëpunimit për projektin e ndërtimit të urave të reja përtej lumit Sava (ura Brçko-Gunja dhe ura Orashje-Zupanja), si dhe projekti i ndërtimit të seksionit të kufirit Okuçan-BeH përtej lumit Sava.

Në rendin e ditës është po ashtu njoftimi për formimin e dokumentacionit të projektit për autostradën ekspres Mostar – Shiroki Brijeg – Grude – kufiri BeH/Kroaci (Gorica/Donji Vinjani), iniciativa për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim në projektin e ndërtimit të rrugës ekspres Jajce – Bihaç – Velika Kladusha – kufiri BeH/Kroaci, projekti i ndërtimit të gazsjellësit “Ndërlidhja jugore BeH-Kroaci”, iniciativa për përfundimin e marrëveshjes për bashkëpunim në projektin e rindërtimit të rrugës Posushje – Arzhano, seksioni Vir – vendkalimi kufitar Pazar Arzhano, si dhe iniciativa për lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të BeH-së dhe qeverisë kroate për vendosjen e procedurës kufitare për kalimet kufitare hekurudhore Shamac – Slavonski Shamac (Veri) dhe Çapljina – Metkoviç (Jug) në Korridorin 5c.

Do të diskutohet gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e migracionit dhe azilit, mbrojtjen civile, si dhe në fushën e kalimeve kufitare dhe menaxhimit të kufirit.

Kryeministri kroat Plenkoviç tha në fjalën e tij hapëse se seanca e përbashkët po mbahet me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne po jetojmë në një kohë të rrethanave të ndryshuara gjeopolitike, para së gjithash, të shkaktuara nga pandemia COVID-19, por mbi të gjitha nga agresioni rus kundër Ukrainës, i cili u solli vendeve tona, por edhe Evropës dhe gjithë botës në kontekstin e krizës energjetike dhe ushqimore, presione inflacioniste. Procesi i hyrjes së Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian është më i rëndësishëm se kurrë më parë, në mënyrë institucionale dhe të përshpejtuar. Ne do të mbështesim Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, do të mbështesim përmirësimin e marrëdhënieve tuaja edhe me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut”, theksoi Plenkoviç.

Duke folur në seancën e sotme, ai tha se në rend dite do të jenë rreth tridhjetë tema.

“Kjo është një mundësi për të emancipuar të gjitha temat dhe të gjithë anëtarët e qeverisë të ndërgjegjësohen për gjerësinë e çështjeve të përbashkëta që janë me interes për të dyja vendet. Kjo është veçanërisht e dukshme në bashkëpunimin e avancuar ekonomik. Fakti që shkëmbimi i mallrave ka arritur në katër miliardë euro, që është 50 për qind rritje e shkëmbimit të mallrave në krahasim me vitin 2021, flet për intensitetin e marrëdhënieve tona, si dhe për investimet e Kroacisë në Bosnjë e Hercegovinë”, shpjegoi Plenkoviç.

Ai theksoi se duan të intensifikojnë lidhjen infrastrukturore, por edhe energjetike

“Dëshirojmë të vazhdojmë punën në korridorin 5c, i cili është me rëndësi strategjike, si dhe të përmirësojmë të gjitha projektet që kanë të bëjnë me urat, kalimet mbi Savë, veçanërisht urën afër Gradishkës. Veçanërisht dua të theksoj se pozicioni i ri ndërkombëtar i Kroacisë me anëtarësimin e saj në hapësirën Shengen dhe në eurozonë, është një mundësi edhe për Bosnjë e Hercegovinën. Ne nuk duam që anëtarësimi ynë të paraqesë një lloj barriere për qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës. Duam fleksibilitet maksimal të komunikimit dhe kalimit të kufirit, nga i cili do të përfitojnë qytetarët nga të dyja anët e kufirit”, tha Plenkoviç.

Ai shtoi se seanca e sotme është një impuls pozitiv në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë.

Kryesuesja e Këshillit të Ministrave të BeH, Kristo, tha se seanca e përbashkët ka një rëndësi të madhe në konfirmimin e marrëdhënieve të mira të deritanishme mes dy vendeve.

“Por edhe gatishmëria për të ecur drejt forcimit dhe përmirësimit të mëtejshëm të bashkëpunimit, si në nivelin politik, ekonomik dhe në çdo nivel tjetër. Marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kroacisë dhe Bosnjë e Hercegovinës bazohen në lidhjet e përbashkëta historike dhe kulturore, por janë të orientuara edhe drejt së ardhmes. Përmes bashkëpunimit dhe dialogut të të dy vendeve, ne mund të forcojmë lidhjet tona dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të begatë dhe të sigurt për të gjithë ne. Marrëdhëniet tona janë të partneritetit dhe fqinjësisë së mirë, që mundësojnë të zgjidhim të gjitha çështjet e hapura në këtë frymë”, tha Kristo.

Related posts

“Dy milionë njerëz në Gaza po përpiqen të mbrohen nga uria, sëmundjet dhe bombardimet izraelite”

admin

“Prishi rendin kushtetues të Kosovës”, arrestohet një serb në Bërnjakë

admin

Britania: Putin pritet të shpallë aneksimin e rajoneve ukrainase

admin