RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Serbët e dyshuar që kryen vrasjen në kafiterinë ‘Panda’ në Pejë, pjesëmarrës edhe masakrën në burgun e Dubravës

serbet-e-dyshuar-qe-kryen-vrasjen-ne-kafiterine-‘panda’-ne-peje,-pjesemarres-edhe-masakren-ne-burgun-e-dubraves

Në masakrën në Dubravë kanë marrë pjesë disa serbë të dyshuar që kishin kryer vrasjen e disa të rinjve në kafiterinë “Panda” në Pejë. Pjesëmarrës në të dyja aktet kriminale përmenden emrat e Sinisha Petriqit që është drejtues i klanit “Zenica” dhe lideri i klanit “Shkalar”, Radomir “Boban” Baçoviq.

Media malazeze M-Portal përmend deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili pati deklaruar se ky krim nuk është bërë nga shqiptarët, siç është pretenduar me vite të tëra.

“E vërteta e rastit ‘Panda’ në Pejë është bërë që të mos ketë hetime. Nuk do të gjesh një letër të shtypur me urdhër këtij e atij personi për të kryer një vrasje apo një raport për punën e bërë, nuk bëhet kështu, bëhet fjalë për udhëzime që jepen në katër minuta. Shërbimi nuk lë gjurmë të shkruara për atë që nuk dëshiron të dihet dhe do të shkatërrojë materiale që tregojnë për të”, thuhet në burimin e dhënë nga shërbimet e sigurisë për këtë medie.

Ky burim pohon se kështu ka ndodhur me rastin e masakrës në “Panda” më 14 dhjetor 1998, duke shtuar se hetimi zyrtar në vendngjarje kishte zgjatur vetëm pak ditë.

Në një deklaratë të bërë në vitin 2018, ish-shefi i MPB-së në Pejë, Boro Vllahoviq ishte shprehur se për rastin “Panda” është përgjegjës sigurimi i shtetit.

“Ne nga sigurimi publik punuam intensivisht për zbulimin e autorëve, por kur pas disa ditësh, pjesëtarët e sigurimit të shtetit arrestuan një grup të shqiptarëve që thuhej se kishin organizuar krimin në ‘Panda’, siguria publike ndaloi së punuari për rastin. Kur sigurimi i shtetit merr përsipër diçka dhe shpall se rasti është zbardhur, nuk është praktikë që sigurimi publik të vazhdojë të punojë për të njëjtin rast”, pati thënë Vllahoviq.

Drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq që ka qenë në Pejë më 19 e 20 dhjetor 1998 dhe kishte regjistruar dëshmi për masakrën në “Panda”.

“Shqiptarët më siguruan se krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga komuniteti shqiptar. Një nga provat e para tregon faktin se policia dhe ushtria filluan kërkimet për autorët më 17 dhjetor, pra tri ditë pas rastit”, pati thënë Kandiq.

Ajo kishte vënë në dukje se së paku 150 shqiptarë nga Kapishnica ishin ndaluar më 17 dhjetor 1998.

“Rreth 200 pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë serbe morën pjesë në kontrollet e shtëpive të shqiptarëve dhe në maltretimin e tyre. Në marrjen në pyetje të shqiptarëve të ndaluar kanë marrë pjesë edhe inspektorët e sigurimit shtetëror nga Beogradi. Shqiptarët e rrahur kujtojnë inspektorët e quajtur ‘Ljubo’, ‘Zoran’ dhe ‘Strikoviq’. Më 22 dhjetor 1998, të dyshuarit Agron Kollqaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxha dhe Vllaznim Pergjegjaj janë sjellë para gjyqtarit hetues Nebojsha Zhivkoviq. Më 11 qershor 1999, këta u transferuan nga Burgu i Qarkut në Pejë në disa nga burgjet në Serbi”, pohon ajo.

Lexo po ashtu:
Rasti “Panda”, ish i burgosuri Kollçaku rrëfen përjetimet mizore në burgjet serbe: Kam nisur t’i vuajë pasojat, edhe pas 23 vjetësh nuk kam mbështetje institucionale
Rasti “Panda”, ish i burgosuri Kollçaku rrëfen përjetimet mizore në burgjet serbe: Kam nisur t’i vuajë pasojat, edhe pas 23 vjetësh nuk kam mbështetje institucionale
Më 22 dhjetor 1998, nënkryetari i atëhershëm i ish-Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq ka njoftuar se rasti i vrasjes në Panda ishte zgjidhur.

Në kohën e vrasjes së gjashtë të rinjve në “Panda”, ministër i Informacionit në Serbi ishte Aleksandar Vuçiq, atëherë zyrtar i lartë i Partisë Radikale të Vojisllav Shesheljit. Mandati i Vuçiqit si ministër do të mbahet mend për zbatimin e ligjit skandaloz të Millosheviçit për median, i cili u përdor ekskluzivisht për të goditur ashpër mediet e lira të kohës. Në Serbinë e Millosheviqit ishte errësirë absolute mediatike dhe dritën e fundit e fiku Vuçiqi me dorën e tij. Për opinionin e atëhershëm çështja “Panda” u mbyll me njoftimin e Shainoviqit dhe do të qëndrojnë pohimi edhe për një kohë të gjatë se krimi është kryer nga shqiptarët.

Masakra në Dubravë

Vetëm pesë muaj pas krimit në “Panda”, gjatë intervenimit të NATO-s, mes 19 e 23 majit 1999, do të ndodhë një masakër në burgun e Dubravës që gjendet afër Istogut. Në këtë masakër u vranë 96 të burgosur shqiptarë dhe rreth 160 ishin plagosur.

Para Prokurorisë së Beogradit për Krime Lufte, një nga të dyshuarit për këtë krim ishte Sinisha Petriq – “Zenica”, xhelati i klanit të Zemunit, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Luka Bojoviqit dhe pjesëmarrës në masakrën e “Pandas”. Pas këtij krimi, Petriqin e nxori nga Dubrava kreu i “Beretave të Kuqe”, Milorad Ulemek – Legija.

Mirëpo, sipas informacioneve operative të shërbimeve rajonale të sigurisë, në masakrën e Dubravës ka marrë pjesë edhe një tjetër pjesëmarrës i mundshëm në krimin në “Panda”, Radomir “Boban” Baçoviq, lideri aktual i klanit “Shkalar”. Sipas këtyre pretendimeve, në fotot nga Dubrava të publikuara nga Reuters menjëherë pas masakrës, Baçoviq shihet me armë në duar. Ai është i lirë edhe pas masakrës së Dubravës.

Në një botë larg politikës dhe krimit, jeta e familjeve të të rinjve të vrarë në kafiterinë “Panda” në Pejë vazhdon të jetë një agoni. Nuk ka asnjë hetim dhe kërkesat e tyre për pranim nga zyrtarë të ndryshëm shtetërorë, filluar nga Sllobodan Millosheviqi, Boris Tadiqi e deri te Aleksandar Vuçiqi mbeten pa përgjigje.

Më 28 dhjetor 2013, një vit pas ardhjes në pushtet të Partisë Progresive Serbe (SNS), deklaratat e kryetarit të saj, nënkryetarit të parë të atëhershëm të Qeverisë së Serbisë dhe shefit të Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vuçiq, do t’u japë shpresë familjeve.

“Krimi në ‘Panda’ nuk është bërë nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta”, kishte thënë Vuçiq në atë kohë në televizionin Pink.

Mirëpo, Vuçiq asnjëherë nuk e tmerroi as prokurorinë, e lëre më publikun, me “të vërtetën” e tij.

Se si rrodhën saktësisht gjërat, publiku ndoshta nuk do ta dijë kurrë, nëse nuk do të ketë ndonjë proces gjyqësor në të ardhmen.

Disa muaj pas lirimit të Bojoviqit, Vuçiq e ndryshoi disi deklaratën e tij të mëparshme për këtë masakër duke iu thënë gazetarëve se ishte “pothuajse i sigurt se e dinte se çfarë ndodhi në ‘Panda’, por se nuk kishte asnjë provë”.

Prindërit e të rinjve të vrarë, që nga viti 2013 e deri më sot, së paku dhjetë herë kanë kërkuar takim me Vuçiqin, por përkundër premtimeve të shumta, ai asnjëherë nuk është takuar me ta.

Related posts

“Black out” i sistemeve, Crowdstrike gjen shkakun e “katastrofës”, përjashtohet sulmi kibernetik

admin

Me qitje nderi artilerike shënohet 33-vjetori i Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut

admin

U plagos nga një sulm me armë në një shkollë në Finlandë, gjendja e vajzës shqiptare jo e mirë

admin