Barrikada, tensione, sulme terroriste dhe mosbindje ndaj autoriteteve sovrane të shtetit të Kosovës kanë ringjallur skenarët e një lufte të re.
23 vite nga fundi i fushatës së spastrimit etnik ndaj shqiptarëve, qarqet ekstremiste serbe po i fryjnë rindezjes së konfliktit përmes metodave të vjetra.
Në veriun me shumicë serbe, ligjin e bëjnë strukturat paralele dhe grupet e errëta të frymëzuara nga Beogradi që kanë bllokuar rrugët lidhëse.
Ky reagim ekstrem i serbëve të veriut, është një strategji e përsëritur, synimi është cenimi i Pavarësisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, përdoret si mjet presioni në tryezën e bisedimeve mes dy shteteve për të fituar sa më shumë.
Për herë të parë, barrikadat u vendosën në vitin 2008 me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Aso kohe, disa shtetas serbë u vunë flakën pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut që lidhin Kosovën me Serbinë.
Në vitin 2011, serbët ngritën barrikada në plot 16 pika të ndryshme. Pikave kufitare me Serbinë iu vu flaka pasi Policia e Kosovës u përpoq t’i marrë nën kontroll.
Një vit më pas, në vitin 2012, KFOR ndërmori disa aksione për të larguar barrikadat. Gjatë aksionit pati tensionet, Tre qytetarë serbë dhe një pjesëtar i KFOR u plagosën.
Në 2014-ën Komuna e Mitrovicës ndërtoi mbi urën e lumit Ibër një të ashtuquajtur Park të Paqes i cili në vetvete ishte një barrikade veçse në formë të ndryshme. Aty ishte një bllokadë që pengonte qarkullimin midis dy anëve të qytetit të Mitrovicës, dikur të bashkuar.
Në vitin 2016 autoritetet e veriut ndërtuan një mur në urën e Ibrit i cili u prish vetëm një vit më vonë.
Në vitin 2019, teksa Policia e Kosovës po ndërmerrte një aksion kundër kontrabandës dhe krimit në veri, serbët tentuan ta pengojnë këtë aksion duke ngritur po barrikada të cilat u hoqën shpejt.