Qytetarë serbë në veri në përgjithësi hezitojnë të flasin për zgjedhjet e 23 prillit. Ata pak që u deklaruan të dielën, thonë se nuk do të dalin të votojnë përderisa Lista Serbe nuk merr pjesë. E analistët serbë vlerësojnë se organizimi i zgjedhjeve lokale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, vetëm sa i ka bashkuar serbët kundër Qeverisë së Kosovës.
Në Mitrovicë të Veriut nuk mund të shihet asnjë shenjë se më 23 prill do të ketë zgjedhje lokale.
Nuk ka asnjë billbord, asnjë pankartë promovuese e sipas serbëve lokalë, nuk duhet të ketë as zgjedhje.
Qytetarët serbë, të dielën, në përgjithësi hezituan të flisnin për këtë temë, e ata pak që folën para kamerës, thanë se nuk mund të ketë zgjedhje pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, subjektit më të madh politik të serbëve në Kosovë.
“Unë nuk do të dal në zgjedhje, mendoj se edhe populli serb nuk do të dalë në zgjedhje. Ne nuk pajtohemi me politikën e Kurtit. Partia jonë, partia serbe e ka lënë parlamentin për arsye se nuk pajtohet me politikën e Kurtit. Kurti duhet t’i shikojë edhe interesat e serbëve, kërkesat e serbëve. Kurti duhet të merret vesh me popullin serb, që do të thotë me Listën Serbe, sepse ajo është përfaqësuesja jonë”, tha qytetari Stevica Joviq.
Dy qytetarë të tjerë pa u ndalur fare, thanë se nuk do të dalin në zgjedhje të dielën.
“Jo”, tha një tjetër.
Zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, nuk duhet të mbahen as sipas analistëve serbë nga kjo pjesë e vendit.
Analisti serb, Branislav Kërstiq, thotë se këto zgjedhje pa vullnetin e serbëve lokalë, veç sa i kanë bashkuar më shumë.
“Kurti edhe politika e kabinetit të tij i kanë bashkuar serbët në një korpus, në një drejtim që edhe ata që kanë qenë me vite kundër politikës së Listës Serbe dhe kundër politikave të kabinetit të Vuçiqit në Kosovë, tash edhe ata së bashku, janë kundër zgjedhjeve, që do të thotë diçka në Prishtinë e kemi të pamatur. E kuptueshme që e kemi edhe atë situatën, interesin e madh të Beogradit për destibalizimin e Kosovës. Ku janë qytetarët e zakonshëm, qytetarët e zakonshëm janë viktima”, tha Kërstiq.
E analisti për çështjet të sigurisë, Veroljub Petroniq, thotë se ekziston frika te banorët e veriut për tensionim të situatës .
“Frika është prezente gjithkah. Dikush konstant po do me ngjallë tensione për interesa të disa grupeve. Secila djegie ka një mesazh në vete dhe unë mendoj se kjo ka pas efekt deri tash. Te serbët në Kosovë tani është ngjallur një lloj revolte ndaj institucioneve të Kosovës për këtë që po bëhet kohën e fundit. Kemi pasur edhe probleme të sigurisë, edhe gjuajtje me armë, edhe burgosje. Krejt kjo ka ngjallur frikë te serbët që të tërhiqen dhe të mos marrin pjesë në zgjedhje”, tha Petroniq.
Zgjedhjet në veri janë shpallur pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në fund të vitit të shkuar.
Në dy prej katër komunave të banuara me shumicë serbe, nuk ka kandidatë nga komuniteti serb.