RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën ku përmendet edhe Kosova

serbia-dhe-republika-serpska-miratojne-deklaraten-ku-permendet-edhe-kosova

Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën ku përmendet edhe Kosova
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje – Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.

Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.

Kuvendi synon vërtetimin e unitetit serb.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje – Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.

Deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.

Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.

“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.

Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija”.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Related posts

Rama: Kosova e ka në tryezë ofertën më të mirë të mundshme, Serbia të detyrohet ta pranojë planin franko-gjerman

rezart morina

Kurti në Davos: Kosova dhe Zvicra të thellojnë bashkëpunimin

admin

Osmani zhvilloi takime në Kongres, përmendi shkeljet e Serbisë në procesin e dialogut

rezart morina