RTV AHIRETI
LajmeLajmetShqipëri

Serbia dhe Shqipëria për paraqitje të përbashkëta në tregjet e largëta turistike

serbia-dhe-shqiperia-per-paraqitje-te-perbashketa-ne-tregjet-e-largeta-turistike

Ministrja e Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit e Serbisë, Tatjana Matiç dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro Furxhi, kanë diskutuar në Beograd për hapat konkrete të bashkëpunimit në fushën e turizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Matiç theksoi se ky është takimi i parë pas nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim në fushën e turizmit në Ohër dhe se Serbia dhe Shqipëria dëshirojnë të përmirësojnë bashkëpunimin dhe të paraqiten së bashku në tregjet e largëta si Kina dhe vendet e tjera aziatike.

Matiç njoftoi se kompania ajrore kombëtare serbe “Air Serbia” planifikon fluturime direkte për në Kinë në fund të këtij viti.

“Besojmë se paraqitjet e përbashkëta do të kontribuojnë ndjeshëm në shtimin e numrit të turistëve në këtë rajon”, tha Matiç.

Ajo shtoi se sezoni turistik i vitit të kaluar në Serbi tregoi përshtatshmëri dhe se turizmi në rajon mbijetoi falë turistëve vendas dhe lidhjes së mirë rajonale. Ajo theksoi se Serbia ka shënuar rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj për më shumë se 63 për qind dhe se në katër muajt e parë janë realizuar mbi 1.7 milionë ardhje dhe pesë milionë fjetje.

Ministjra Kumbaro, nga ana e saj, tha se bashkëpunimi mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk është vetëm politik, por ekziston edhe në sektorin privat dhe se kjo kontribuon që turizmi të ketë rezultate të mira dhe se është në rrugën e suksesit. Ajo tha se në vitin 2019, i cili mbahet mend si një nga vitet më të mira turistike, Shqipëria kishte 6.4 milionë turistë.

“Në vitin 2021, që pritej të ishte një vit i mbarë, kishim 5.6 milionë turistë, turistët nga Serbia ishin një pjesë e konsiderueshme e turistëve, u shënua një rritje e madhe prej 110 për qind krahasuar me vitin 2019. Ky është rezultat i komunikimit më të mirë”, tha Kumbaro, duke shtuar se nisma “Ballkani i Hapur” krijon frymën e duhur të komunikimit për turizmin.

Sipas saj, në pesë muajt e parë të këtij viti Shqipëria shënoi një rritje prej 55 për qind të turistëve dhe 20 për qind të turistëve nga Serbia.

Related posts

Indonezia dërgon avionët me ndihma humanitare për tërmetin Turqi e Siri

admin

Protestuesit në Bagdad bëjnë thirrje për t’i dhënë fund ndërhyrjes së SHBA-së

admin

Astronautja e parë femër e Arabisë Saudite do të fluturojë në hapësirë ​​më 21 maj

admin