RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Serbia sfidon marrëveshjen

serbia-sfidon-marreveshjen

Qasja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, është duke u konsideruar si përpjekje e moderuar për të bindur ndërkombëtarët se pranon zotimet, por në praktikë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Vuçiqi është duke tentuar të gjejë një mes ndërmjet qëndrimeve të së kaluarës e ndryshimeve në të ardhmen
Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Serbia nuk mbështet anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, është përkthyer si politikë kundërshtuese e tij ndaj këtij procesi dhe dakordimit të arritur në marrëveshjen e Brukselit, përkatësisht përmbajtjes së Aneksit të zbatimit të saj.

Analisti Artan Muhaxhiri ka thënë se diskursi i përdorur nga Vuçiqi është tentim nga ana e tij që të ndryshojë gjuhën e ashpër e nacionaliste që deri më tani e ka përdorur.

“Presidenti Vuçiqi e di shumë mirë që nuk mund të ketë mbrapakthim, pra anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në institucionet e tjera është një rrugë njëkahëshe. Mirëpo ai në anën tjetër nuk mund ta pranojë me lehtësi këtë edhe pse e dinë që nuk ka fuqi ta bllokojë. Ideja e tij është që ta gjejë një mes edhe për opinionin e vet por edhe për aleatët tanë në mënyrë që ta pranojë realitetin e ri por edhe të mos distancohet krejtësisht nga e kaluara”, ka thënë Muhaxhiri.

Qëndrimin ndaj anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare Vuçiqi e ka shprehur dy ditë më parë në takimin me ministrin i Punëve të Jashtme i Suedisë, Tobias Billstrom.

“Serbia për atë që është zotuar do ta përmbushë, por Serbia nuk do ta mbështetë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e institucionet e specializuara të Kombeve të Bashkuara. Për këtë i kam informuar qartë të gjithë ata që marrin pjesë në negociata edhe palën tjetër, edhe Borellin, edhe Lajçakun, edhe Scholzin, edhe Macronin, edhe Blinkenin dhe të gjithë në rruzullin tokësor me të cilët kemi folur”, ka deklaruar Vuçiqi të mërkurën.

Udhëheqësit e institucioneve shtetërore të Kosovës thonë se me deklarimet e bëra Serbia ka shkelur marrëveshjet e arritura në Bruksel e Ohër dhe për këtë kanë kërkuar reagimin e ndërkombëtarëve.

BE-ja nuk ka reaguar ende, ndërsa Ambasada gjermane në Kosovë ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve të dakorduara.

“Gjermania mbështet pa mëdyshje dialogun e udhëhequr nga BE dhe përpjekjet e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak. Sa u përket marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga 27 shkurti në Bruksel dhe 18 marsi në Ohër, ritheksojmë se të gjitha pikat duhet të zbatohen plotësisht. Dëshirojmë të kujtojmë edhe deklaratën e përfaqësuesit së lartë të BE-së para Këshillit Evropian më 23 mars në lidhje me këtë, duke nënvizuar se nuk ka vend për përzgjedhje”, ka deklaruar zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Sebastian Leuschner.

Por, sipas analistit Artan Muhaxhiri, për ndërkombëtarët rëndësi kanë veprimet e Vuçiqit më shumë sesa deklaratat e tij.

“Presidenti Vuçiq mund të luajë me fjalë sa të dojë, por rëndësi do të kenë veprat konkrete dhe sjellja e tij në obligimet që i ka marrë në marrëveshjen e Ohrit”, ka thënë Muhaxhiri.

Zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit e Aneksit të saj do të jetë në llupën e Komitetit të përbashkët monitorues që është krijuar në fillim të kësaj jave.

Related posts

UNICEF-i: 6 milionë fëmijë të prekur nga tajfuni Yagi në Azinë Juglindore

admin

Ukrainasit luftojnë me çdo çmim për qytetin Bakhmut

admin

Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Ndër sfidat kryesore tejkalimi i paragjykimeve që kanë ndarë rajonin tonë

RTI