RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA do të pezullojë financimin e UNRWA-së deri në mars të vitit 2025

shba-do-te-pezulloje-financimin-e-unrwa-se-deri-ne-mars-te-vitit-2025

Një projektligj i ri shpenzimesh do të shkurtojë fondet e SHBA-së për Agjencinë e Ndihmës dhe Punës të OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) deri në mars të vitit 2025, transmeton Anadolu.

Sipas tekstit të legjislacionit prej 1.2 trilionë dollarësh të publikuar nga udhëheqësit e Kongresit Amerikan, projektligji prej 1.012 faqesh, i cili synon të financojë qeverinë federale deri në muajin shtator, ka kufizime të vazhdueshme në financimin e UNRWA-së mes akuzave të paprovuara të Tel Avivit se disa nga punonjësit e agjencisë ishin të përfshirë në sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit.

Ndërkohë, projektligji caktoi 4 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin, duke përfshirë 80 milionë dollarë për prokurimin e sistemit të mbrojtjes Iron Dome.

Senatori Chris Van Hollen në një reagim me shkrim tha se “mohimi i financimit për UNRWA-në është i barabartë me mohimin e ushqimit për njerëzit e uritur dhe me kufizimin e furnizimeve mjekësore për civilët e plagosur”.

“UNRWA kishte të drejtë që i ndërpreu menjëherë ata punonjës dhe e referoi rastin për hetim nga organi më i lartë hetimor i OKB-së. Por të ndëshkosh mbi 2 milionë njerëz të pafajshëm në Gaza dhe përfituesit e UNRWA-së në të gjithë rajonin për këto veprime nuk është thjesht e gabuar, por është e pandërgjegjshme”, tha Van Hollen.

Demokrati nga shteti Maryland kërkoi nga administrata e presidentit Joe Biden që “të lëshojë menjëherë fondet aktuale për UNRWA-në, siç kanë bërë Bashkimi Evropian (BE), Kanadaja dhe të tjerët, në mënyrë që të ndihmojë në parandalimin e urisë që tani është në pragun e Gazës”.

SHBA-ja e cila është donatori më i madh për UNRWA-në, duke siguruar nga 300 deri në 400 milionë dollarë në vit, në muajin janar tha se “ndërpreu përkohësisht” fondet për agjencinë derisa po shqyrtohen pretendimet e Izraelit se 12 punonjës mund të kenë qenë të përfshirë në sulm.

UNRWA-ja është penguar ta bëjë punën e saj që nga muaji janar, kur Izraeli e akuzoi se 12 nga 30 mijë punonjësit e saj ishin të përfshirë në sulmin e grupit të rezistencës palestineze Hamas.

SHBA-ja dhe disa vende i ndërprenë menjëherë fondet e agjencisë dhe puna e saj e ndihmës për popullsinë e Gazës së goditur nga uria ka vuajtur.

Në fillim të këtij muaji, BE-ja, Kanadaja dhe Suedia njoftuan se do të vazhdojnë me financimin për UNRWA-në pasi Izraeli ende nuk ka paraqitur ndonjë provë publike për të mbështetur pretendimin e tij.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller, tha se SHBA-ja është ende në pritje për të parë përfundimin e hetimeve që OKB-ja po kryen në lidhje me akuzat.

UNRWA-ja u formua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vite më parë për të ndihmuar palestinezët që u zhvendosën me forcë nga toka e tyre.

Agjencia ofron mbështetje thelbësore për miliona refugjatë palestinezë në Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor, Jordani, Liban, Siri dhe në zona të tjera ku jetojnë një numër i madh i palestinezëve të regjistruar.

Related posts

Për 14 vjet, rreth 135 mijë nxënës më pak në Kosovë

admin

Grupimi BRICS fton 6 vende të reja për anëtarësim

rezart morina

Vritet një person në Kijevë të Malishevës

admin