Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë gjatë ditës së djeshme, për çështjen e targave.
Kështu është deklaruar nëpërmjet një komunikate nga Departamenti i Shtetit amerikan, ku është shtuar se, SHBA-të mbështesin dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, shkruan lajmi.net.
Tutje është deklaruar se, të dyja palët kanë bërë një hap gjigant drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.
Deklarata e plotë:
Shtetet e Bashkuara mirëpresin marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. Ne përgëzojmë më tej marrëveshjen e dy vendeve për t’u përqëndruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e dialogut të lehtësuar nga BE. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës.
Ne mirëpresim vendimin e palëve për të vënë interesat e të gjithë njerëzve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre. Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.