Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që mundëson kalimin nga patentë shoferi i lëshuar nga institucionet ilegale serbe në Kosovë, në ato zyrtare, të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Hovenier në një postim në “X” ka shkruar se ShBA-të mbështesin përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të lehtësuar dhënien e patentë shoferëve kosovarë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar Hovenier.
Ndryshe MPB ka njoftuar se kalimi në patentë shofer të RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve.
Vendimi hyn në fuqi me datën 9 maj dhe është valid deri me datën 9 gusht 2024.