RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA-ja paralajmëron Evropën për drogën sintetike fentanil

shba-ja-paralajmeron-evropen-per-drogen-sintetike-fentanil

Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për rritje të madhe të përdorimit të drogës sintetike fentanil, ka thënë për Politico, komisionerja evropiane për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Ilva Johansson.

Ajo po i përgjigjej një paralajmërimi të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se Evropa ose nuk ka zbuluar ende problemin me drogat sintetike ose do ta zbulojë së shpejti.

Fentanili është një drogë sintetike që vlerësohet të jetë 50 herë më e fortë se heroina dhe është përgjegjës për mijëra amerikanë që vdesin nga mbidoza çdo vit.

Në një ngjarje anësore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi kërcënimet për shëndetin dhe sigurinë e drogave sintetike, presidenti i SHBA-së Joe Biden u bëri thirrje aleatëve që ta marrin seriozisht kërcënimin e paraqitur nga fentanili, ka zbuluar Johansson.

“Është një problem që keni, thjesht nuk e dini ende, ose është një problem që do ta keni së shpejti”, ishin fjalët që Blinken i drejtoi komisioneres Johansson në një bisedë për drogat sintetike.

Shtetet e Bashkuara përpiqen të paralajmërojnë aleatët e tyre paraprakisht “në mënyrë që të tjerët të mos kenë të njëjtin problem që kanë ata”.

Ajo shtoi se fentanili dhe drogat e tjera sintetike aktualisht nuk përbëjnë kërcënim të madh për Bashkimin Evropian, duke qenë se kanabisi është droga më e njohur në kontinent dhe kokaina është ajo që konsumi i saj po rritet më shumë.

Megjithatë, krahasuar me SHBA-në, ku drogat sintetike kontrabandohen nga vende si Meksika, Evropa ka kapacitete laboratorike për prodhimin e drogave sintetike, të cilat shumë lehtë mund të shkaktojnë krizë, theksoi Johansson.

“Kapacitetet për prodhimin e fentanilit në Bashkimin Evropian ekzistojnë, ne i kemi ato. Kjo, natyrisht, do të thotë që prodhimi mund të fillojë sapo dikush mendon se ka kërkesë”, pohon Johansson.

Në vitin 2021, 434 laboratorë të paligjshëm për prodhimin e drogave sintetike u mbyllën në BE, sipas Raportit Evropian të Drogës nga ky vit.

Ekspertët nga Agjencia Evropiane e Drogës paralajmëruan në fillim të këtij viti se ndalimi i kultivimit të lulekuqes në Afganistan nga talebanët mund të zvogëlojë në mënyrë drastike importin e heroinës në Evropë, e cila, nga ana tjetër, mund të çojë në një rritje të opiateve sintetike.

“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur”, paralajmëron Johansson.

BE-ja tashmë po punon për të forcuar mandatin e agjencisë së saj të drogës, e cila merret me aspektet e shëndetit dhe sigurisë së drogave të paligjshme, duke i dhënë asaj shumë më tepër fuqi dhe dyfishuar burimet.

Plani evropian për të luftuar trafikun e drogës, i cili u njoftua nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për gjendjen e BE-së, do të miratohet në fund të këtij viti. /koha

Related posts

E qeshura e Kamala Harris, si “arma” e saj sekrete! DW: E qeshura me zë të lartë shoqëron fushatën zgjedhore të kandidates për presidente, por kundërshtarët e marrin si shkas për ta sulmuar

admin

Kurti në Samitin e Ballkanit Perëndimor: Ndër sfidat kryesore është tejkalimi i paragjykimeve që kanë ndarë rajonin tonë

RTI

Rusia tërheq trupat nga qyteti ukrainas Kherson

admin