Alton Buland, drejtor kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në zyrën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, ka vlerësuar arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit, në konsultimet dypalëshe të mbrojtjes SHBA – Kosovë (BDC) që patën më 22 dhe 23 shkurt në Prishtinë. I pranishëm ishte ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Qëllimi i BDC-së, sipas njoftimit të Departamentit të Mbrojtjes, ishte të diskutonte prioritetet e bashkëpunimit dypalësh [SHBA – Kosovë] të sigurisë dhe mbështetjen për zbatimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së për transformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale, multi-etnike, ndërvepruese nga NATO, që i nënshtrohet kontrollit civil për të gjithë popullin e Kosovës.
“Udhëheqësit ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.
Buland ka falënderuar FSK-në për kontributin në ofrimin e trajnimeve për deminim të ushtarëve ukrainas.
“Buland përshëndeti Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe falënderoi ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim. Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes”, vijon tutje njoftimi.
Buland bashkë me disa ushtarakë të tjerë vizituan KFOR-in dhe kontingjentin amerikan për t’i falënderuar për rolin që luajnë duke ndihmuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.