I dërguari amerikan Matthew Whitaker: Do vëzhgojmë nga afër kush është me ne
Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të bindin aleatët e tyre në NATO që të marrin pjesë në një fushatë për “çmontimin sistematik” të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), duke shtuar tensionet në marrëdhëniet tashmë të trazuara transatlantike.
Politico.eu raporton se gjatë një takimi me dyer të mbyllura të 32 ambasadorëve të NATO-s në Bruksel, në mesin e korrikut, i dërguari amerikan Matthew Whitaker u kërkoi vendeve anëtare të ndihmojnë në dobësimin dhe shpërbërjen e Gjykatës, si dhe të tërhiqen nga Statuti i Romës, dokumenti themelues i saj.
Sipas tre diplomatëve të NATO-s, të cilët folën në kushte anonimiteti, Whitaker e përfundoi ndërhyrjen me paralajmërimin: “Do të vëzhgojmë nga afër se kush qëndron me Amerikën!”.
Në të njëjtën kohë, misioni amerikan në NATO, u shpërndau delegacioneve një dokument ku thuhej se SHBA-ja do të “çmontojë sistematikisht kapacitetet e GJNP-së” dhe u kërkonte aleatëve të ndërmerrnin menjëherë hapa për t’u tërhequr nga Gjykata.
Uashingtoni kërkoi gjithashtu që vendet anëtare të shqyrtonin atë që e cilëson si “kërcënim” të GJNP-së, ta dënonin publikisht atë që e quan tejkalim të kompetencave dhe të ndalonin çdo mbështetje materiale.
Detajet e këtij dokumenti janë bërë publike nga Politico.eu. Gjykata, e krijuar në vitin 2002, ka mandat të ndjekë penalisht autorët e krimeve më të rënda ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin dhe krimet e luftës.
SHBA-ja nuk është palë në Statutin e Romës, ndërsa pothuajse të gjitha vendet e NATO-s janë anëtare të tij. Fushata amerikane është nxitur veçanërisht nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, i cili e akuzon Gjykatën për cenim të sovranitetit amerikan.
Uashingtoni shqetësohet se zyrtarë amerikanë mund të përballen me ndjekje penale ndërkombëtare. Në vitin 2020, GJNP-ja nisi një hetim mbi dyshimet për krime lufte të kryera nga ushtarë amerikanë në Afganistan, megjithëse një vit më vonë hetimi u ul në prioritet.
Përplasja me Evropën
Kërkesa amerikane vjen në një moment veçanërisht delikat për NATO-n. Aleanca është përfshirë në debate të forta pas refuzimit të disa vendeve evropiane për t’iu bashkuar luftës së SHBA-së në Iran, ndërsa më herët kërcënimet e Donald Trump për aneksimin e Groenlandës kishin shkaktuar një tjetër krizë me Danimarkën, anëtare të NATO-s.
Për këtë arsye, kërkesa për GJNP-në u prit me shqetësim në Bruksel. Franca dhe Holanda mbrojtën Gjykatën gjatë takimit dhe sinjalizuan kundërshtimin e tyre ndaj nismës amerikane.
Parisi përsëriti “mbështetjen e palëkundur” për GJNP-në, ndërsa ministri i Jashtëm holandez Tom Berendsen deklaroi se Holanda e mbështet plotësisht Gjykatën.
Sipas Politico.eu, diplomatët evropianë e konsideruan ndërhyrjen amerikane veçanërisht të ndjeshme, pasi kërkesa u bë brenda NATO-s, ku SHBA-ja mbetet fuqia kryesore ushtarake dhe politike.
Ndërkohë, Uashingtoni ka diskutuar çështjen edhe në mënyrë dypalëshe me disa vende evropiane.
Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar “kontroll më të madh” ndaj shteteve që refuzojnë të hedhin poshtë autoritetin e GJNP-së, ndërsa SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës.
Për Evropën, dilema është e ndërlikuar. Nga njëra anë, NATO mbetet e varur në mënyrë të konsiderueshme nga kapacitetet ushtarake amerikane dhe administrata Trump po kërkon që evropianët të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit.
Nga ana tjetër, pranimi i presionit amerikan ndaj GJNP-së, do të nënkuptonte një tërheqje të rëndësishme nga sistemi ndërkombëtar i drejtësisë që vetë vendet evropiane kanë ndihmuar të ndërtohet.
Kështu, çështja e Gjykatës së Hagës mund të shndërrohet në një tjetër provë për kohezionin e NATO-s. Pyetja nuk është më vetëm nëse Evropa do të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj, por edhe sa larg është e gatshme të shkojë për t’iu përshtatur kërkesave të Uashingtonit.
Nëse vendet evropiane refuzojnë, përplasja mund të thellojë distancën politike me administratën Trump. Nëse pranojnë, rrezikojnë të dobësojnë një prej institucioneve kryesore të drejtësisë ndërkombëtare dhe të krijojnë një precedent që mund të prekë vetë sistemin evropian të sigurisë dhe të së drejtës ndërkombëtare. tesheshi

