RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA, Senati voton në favor të shfuqizimit të autorizimit që mundësoi pushtimin e Irakut

shba,-senati-voton-ne-favor-te-shfuqizimit-te-autorizimit-qe-mundesoi-pushtimin-e-irakut

Senati amerikan votoi sot për të shfuqizuar Autorizimet për Përdorimin e Forcës Ushtarake (AUMF) kundër Irakut, dy dekada pasi Amerika pushtoi vendin dhe përmbysi udhëheqësin e saj, raporton Anadolu.

Në votimin me 66 vota pro dhe 30 kundër, 18 Republikanë u rreshtuan me shumicën dërrmuese të Demokratëve në mbështetje të shfuqizimit të autorizimeve të viteve 2002 dhe 1991. Çështja tani shkon në Dhomën e Përfaqësuesve të dominuar nga Republikanët, ku fati i saj mbetet i paqartë.

I prezantuar nga Tim Kaine dhe Todd Young, legjislacioni prej gati dy faqesh kaloi Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë më 8 mars.

Ligji synon të rivendosë autoritetin e mandatuar me kushtetutë të Kongresit për të shpallur dhe për t’i dhënë fund luftërave dhe për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Irak duke mbyllur autorizimet e pafundme të përdorura për të kryer aktivitete ushtarake në vendin e Lindjes së Mesme.

Kaine tha se autorizimet janë “të vjetruara dhe të panevojshme”, duke e quajtur votimin e Senatit një “hap të rëndësishëm për të parandaluar çdo president që të abuzojë me këto AUMF”.

“Unë kam besuar prej kohësh se Kongresi duhet të ripohojë rolin tonë kushtetues në vendime aq solemne mbi atë nëse dhe kur duhet shfuqizuar dërgimin në rrezik të anëtarëve të shërbimit të vendit tonë. Kjo është arsyeja pse unë kam këmbëngulur për të shfuqizuar Autorizimet e viteve 1991 dhe 2002 për Përdorim të Forcës Ushtarake”, tha Kaine në një deklaratë.

“I bëj thirrje Dhomës që të miratojë projektligjin tonë dhe ta çojë atë në tryezën e presidentit për t’u nënshkruar në ligj”, shtoi ai.

Duke folur në Senat, Young, bashkinicuesi Republikan i projektligjit, tha se 20 vjet më parë Iraku ishte armik i SHBA-së, por që atëherë është shndërruar në një “partner strategjik dhe aleat në avancimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme”.

“Shumë ka ndryshuar në 20 vitet e fundit, dhe megjithatë, sipas ligjeve tona, sot jemi ende në luftë me Irakun. Ky nuk është vetëm rezultat i një mospërfilljeje. Është një abdikim i qëllimshëm i kësaj organi, i rolit të tij kushtetues në sigurinë kombëtare të Amerikës”, tha ai.

“Të lejosh që të vazhdojë është gabim strategjik”, shtoi Young.

Legjislacioni nga Kaine dhe Young nuk prek AUMF-në e vitit 2001 që autorizonte SHBA-në për të vazhduar operacionet kundër grupeve terroriste në mbarë botën, i cili u miratua pas sulmeve të 11 shtatorit në vend.

19 marsi shënoi 20 vjet që kur avionët luftarakë amerikanë filluan fushatën e bombardimeve dërrmuese në Irak, që krijoi skenën për pushtimin e forcave amerikane, duke rrëzuar përfundimisht ushtrinë irakiane, dhe bashkë me të, qeverinë e Sadam Huseinit.

Lufta ishte e dyta e Washingtonit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe çoi në rrëzimin e Huseinit – sundimtarit shumëvjeçar të Irakut, i cili u var pasi u shpall fajtor për krime kundër njerëzimit nga një gjykatë irakiane.

Megjithatë, armët e Huseinit të shkatërrimit në masë (WMD) të pretenduara nga administrata e ish-presidentit amerikan George Bush si shtysë për luftën nuk u gjetën kurrë. Pretendimet e bëra përpara publikut amerikan dhe OKB-së shënuan “një nga dështimet më të dëmshme publike dhe të inteligjencës në historinë e fundit amerikane”, sipas qeverisë amerikane.

Related posts

Kryediplomati turk Fidan: Paqja dhe stabiliteti i Kirkukut ndikon në paqen dhe stabilitetin e të gjithë Irakut

admin

Abbas: Sulmet në Gaza janë turp për të gjithë ata që mbështesin Izraelin

rezart morina

Rekord historik temperaturash të acarta në SHBA

rezart morina