Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të bëjnë lëshime në mënyrë që të mos rrezikohet paqja.
Kështu ka deklaruar një zëdhënëse e ambasadës së SHBA-së për lajmi.net, duke kërkuar që të mos rrezikohet “dekada të paqes së fituar me vështirësi në një rajon tashmë të brishtë”.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën të bien dakord sot me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së Borrell për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë”, u tha në përgjigjen e ambasadës, dërguar në orën e parë të së martës.
“Ne i bashkohemi BE-së dhe i bëjmë thirrje Kosovës që të pezullojë menjëherë çdo masë të planifikuar që do të përshkallëzonte tensionet, përfshirë vendosjen e gjobave ndaj automjeteve”, vijon ndër të tjera përgjigja.
Ambasada amerikane në Prishtinë kërkon nga pala kosovare të përmbushin detyrimet e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të gjejnë një zgjidhje përfundimtare.
Gjysmë ore pas këtij deklarimi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se vendimi për gjobitjen e automjeteve që bartin targat ilegale është shtyrë për 48-orë, me kërkesë të SHBA-së.
“E falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48-orëshe vendimin për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, deklaroi Kurti në ‘Twitter’.
“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, është thënë në kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.