RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

SHBA thotë se Ne’tanyahu pranoi propozimin e ri për Ga’zën, Ha’mas thotë se kjo plotëson vetëm kërkesat iz’raelite

shba-thote-se-ne’tanyahu-pranoi-propozimin-e-ri-per-ga’zen,-ha’mas-thote-se-kjo-ploteson-vetem-kerkesat-iz’raelite

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kishte pranuar propozimin e ri për një armëpushim dhe shkëmbim të të burgosurve në Gaza, por Hamasi tha se propozimi “përmbush kushtet e Netanyahut” dhe i përshtatet agjendës së tij, transmeton Anadolu.

Duke folur për gazetarët në Tel Aviv, Blinken tha se “propozimi urë” që Netanyahu pranoi, “pasqyron atë që është në marrëveshjen e armëpushimit që presidenti Biden ia paraqiti botës” më 31 maj.

“Tani është detyrë e Hamasit të bëjë të njëjtën gjë, dhe më pas palët, me ndihmën e ndërmjetësve, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari, të bëhen bashkë dhe të përfundojnë procesin e arritjes së mirëkuptimeve të qarta se si do të zbatojnë angazhimet që kanë sipas kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai.

Kryediplomati amerikan tha se Netanyahu është i përkushtuar të dërgojë një ekip izraelit në Doha ose Egjipt për t’u përpjekur të “përfundojë këtë proces”.

SHBA, Egjipti dhe Katari njoftuan javën e kaluar pas bisedimeve të armëpushimit në Doha se i kishin paraqitur Izraelit dhe Hamasit atë që ata e quajtën një “propozim urë” për të ngushtuar më tej “boshllëqet e mbetura në mënyrën që lejon një zbatim të shpejtë të marrëveshjes”.

Nga ana tjetër, grupi palestinez Hamas tha dje se propozimi i ri plotëson kushtet e Netanyahut dhe përputhet me to, veçanërisht refuzimin e tij për një armëpushim të përhershëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe këmbënguljen e tij për vazhdimin e okupimit të kryqëzimin Netzarim, që ndan pjesën veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, vendkalimin Rafah dhe Korridorin Philadelphi në jug.

“Ai gjithashtu vendosi kushte të reja në dosjen e shkëmbimit të pengjeve dhe tërhoqi kushte të tjera, gjë që pengon përfundimin e marrëveshjes”, tha Hamasi në një deklaratë.

Lëvizja Hamas theksoi përkushtimin e saj ndaj asaj që u dakordua më 2 korrik.

Biden tha në maj se Izraeli prezantoi një marrëveshje prej tre fazash që do t’i jepte fund armiqësive në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbajtura në enklavën bregdetare. Plani përfshin armëpushim, shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish dhe rindërtimin e Gazës.

Izraeli ka vrarë më shumë se 40.000 palestinezë që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor ku humbën jetën rreth 1.200 persona, ndërsa rreth 250 njerëz u morën peng. Veprimet izraelite kanë shkaktuar një katastrofë humanitare dhe një gjykim në vazhdim e sipër për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Related posts

NASA: Dy astronautët do të kthehen në Tokë me sondën e firmës SpaceX

admin

Forcat ruse i vënë flakën termocentralit bërthamor, Zelensky publikon pamjet nga zjarri dhe tymi brenda uzinës (VIDEO)

admin

OKB dërgon ndihma humanitare në Idlib pas një ndërprerje prej 2 muaj e gjysmë

rezart morina