Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar nga Bosnjë e Hercegovina (BeH) që të përmbahet nga “retorika përçarëse”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Komentet e shefit të NATO-s erdhën pas takimit në Bruksel me anëtarin boshnjak të presidencës trepalëshe të BeH-së, Denis Beqiroviq.
“Sekretari i përgjithshëm u bëri thirrje të gjithë liderëve politik që të përmbahen nga retorika përçarëse dhe të bëjnë hapa konkrete drejt pajtimit të brendshëm”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Më tej, theksohet se Stoltenberg dhe Beqiroviq diskutuan shqetësimet rreth “veprimeve separatiste dhe retorikës përçarëse që mund të shkaktojë aktivitete të jashtme keqdashëse”.
Stoltenberg theksoi se stabiliteti i të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor është i një rëndësie strategjike për aleancën.
Ai në takim tha se NATO do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për “reformat e sektorit të mbrojtjes të BeH-së”, duke përfshirë edhe selinë e NATO-s në Sarajevë.
Beqiroviq, nga ana e tij, tha se vizita e tij e parë jashtë vendit ka një rëndësi simbolike dhe strategjike, me mesazhin se BeH-ja sigurisht që do të vazhdojë dhe do të intensifikojë rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
“Do të bëj gjithçka në fuqinë time që BeH-ja sa më parë të anëtarësohet në NATO dhe BE. Këto janë qëllimet tona strategjike”, tha Beqiroviq.
Prioritetet kryesore të BeH-së janë bashkimi me komunitetin politik dhe ekonomik të vendeve evropiane, si dhe anëtarësimi i saj në NATO.