Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë të ditur se po udhëton drejt Republikës Demokratike të Kongos mes shpërthimit të fundit të Ebolës në vend, transmeton Anadolu.
“Ebola është rikthyer. Do të jem në terren me ekipet tona të OBSH-së, partnerët dhe punonjësit e jashtëzakonshëm shëndetësorë që nuk kanë ndalur kurrë së luftuari”, shkroi Tedros në rrjetin social amerikan X.
Ai shtoi se provinca lindore Ituri po mban barrën kryesore të shpërthimit dhe se qeveria e Kongos po udhëheq përgjigjen ndaj krizës. Shefi i OBSH-së theksoi se Kongoja ka arritur vazhdimisht të kapërcejë shpërthimet e Ebolës në të kaluarën.
“Gjashtëmbëdhjetë here ky vend e ka mposhtur Ebolën. Edhe hera e 17-të nuk do të jetë ndryshe. Por, duhet të veprojmë tani, së bashku”, tha Tedros.
Sipas një raporti të fundit mbi situatën të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i rasteve të dyshuara me Ebola në Kongo ka kaluar 1.000 mes një rritjeje të rasteve në provincat lindore.
Që nga shpallja e shpërthimit më 15 maj, raporti thotë se numri kumulativ i rasteve të dyshuara ka arritur në 1.077, me 17 viktima të konfirmuara nga Ebola.
Autoritetet e vendit për të parandaluar përhapjen e Ebolës kanë pezulluar aktivitetet shoqërore në Ituri, që konsiderohet epiqendrën e shpërthimit, përfshirë aktivitetet sportive.
Deri më tani janë regjistruar shtatë raste të konfirmuara dhe një viktimë në Ugandën fqinje, e cila dje mbylli kufirin me RD të Kongos.

