Kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, dënoi vendimin e Rusisë për të aneksuar territoret e pushtuara të Ukrainës pas referendumeve që Perëndimi i ka quajtur “të rreme”, raporton Anadolu Agency (AA).
“Çdo vendim për të vazhduar me aneksimin e rajoneve Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës nuk do të ketë asnjë vlerë ligjore dhe meriton të dënohet”, u tha Guterres gazetarëve në selinë e OKB-së.
“Kjo është kundër gjithçkaje që komuniteti ndërkombëtar është aty për ta mbështetur. Është një përshkallëzim i rrezikshëm. Nuk ka vend në botën moderne. Nuk duhet pranuar”, shtoi Guterres.
Referendumet janë dënuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar, ku vendet evropiane dhe SHBA-ja kanë thënë se ato nuk do të njihen.
Presidenti rus Vladimir Putin do të shpallë zyrtarisht të premten aneksimin e katër rajoneve në një ceremoni nënshkrimi në Moskë, sipas Kremlinit.
Guterres tha se çdo aneksim i territorit të një shteti nga një shtet tjetër që rezulton nga kërcënimi ose përdorimi i forcës është shkelje e Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.
Ai i kërkoi Rusisë, një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të respektojë Kartën dhe të bëjë hap mbrapa.
“Çdo vendim i Rusisë për të ecur përpara do të rrezikojë më tej perspektivat për paqe”, tha ai.
“Kjo do të zgjasë ndikimet dramatike në ekonominë globale, veçanërisht në vendet në zhvillim, dhe do të pengojë aftësinë tonë për të ofruar ndihma jetëshpëtuese në të gjithë Ukrainën dhe më gjerë”, theksoi shefi i OKB-së, Guterres. /aa