RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vatikani sanksionon laureatin e Nobelit pas akuzave për abuzim seksual

vatikani-sanksionon-laureatin-e-nobelit-pas-akuzave-per-abuzim-seksual

Vatikani ka njoftuar të enjten për vendosjen e sanksioneve ndaj peshkopit që është fitues i çmimit Nobel për Paqe, Carlos Ximenes Belo, pas akuzave se ka abuzuar seksualisht me djem në Timorin Lindor gjatë viteve 1990, shkroi Associated Press.

Sanksionet e Vatikanit për laureatin e Nobelit erdhën një ditë pasi revista holandeze, De Groene Amsterdammer, raportoi për pretendimet kundër heroit të pavarësisë së Timorit Lindor, duke përmendur dy nga viktimat e përfshira në abuzim dhe duke raportuar se ka edhe të tjerë.

Në këtë vend, Kisha ka një ndikim të madh.

Zëdhënësi Matteo Bruni tha se zyra e Vatikanit që trajton rastet e abuzimit seksual, pranoi akuza “lidhur me sjelljen e peshkopit në vitin 2019”.

Sanksionet e vendosura përfshijnë kufizimet në lëvizje, ushtrimin e detyrës së tij, si dhe është ndaluar të ketë kontakte me të miturit dhe me Timorin Lindor.

Bruni shtoi se sanksionet janë modifikuar në nëntor të vitit 2021 dhe se Belo e ka pranuar zyrtarisht dënimin.

Lajmi për abuzimet seksuale të Belos bëri bujë në vendin e varfër të Azisë Juglindore, ku ai konsiderohet hero i luftës për pavarësi të Timorit Lindor nga sundimi indonezian.

Sipas raportimit të De Groene Amsterdammer, dy viktimat e supozuara që janë identifikuar vetëm si Paulo dhe Roberto, nuk ishin të vetmit që janë abuzuar nga Belo. Madje, për veprimet e peshkopit thuhet se ishin të informuara Qeveria e vendit dhe punonjësit humanitar dhe ata të kishës.

“Peshkopi më përdhunoi dhe abuzoi seksualisht një natë. Herët në mëngjes më largoi. Kisha frikë sepse ishte ende errësirë, më duhej të prisja para se të shkoja në shtëpi. Më ka lënë edhe para. Kjo kishte për qëllim që unë të mbaja gojën mbyllur. Dhe për t’u siguruar që do të kthehesha”, citohet të ketë thënë Roberto për revistën.

Belo fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1996 bashkë me Jose Ramos-Horta, lidhur me fushatën për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore të konfliktit në vendin e tyre që luftoi për të fituar pavarësinë nga Indonezia, ish-koloni holandeze.

Revista holandeze raportoi se hulumtimi i saj tregon që Belo abuzonte gjithashtu me djemtë në vitet 1980 përpara se të bëhej peshkop.

Belo nuk është i vetmi zyrtar i kishës në Timorin Lindor i akuzuar për abuzim. Një prift amerikan i larguar nga detyra, Richard Daschbach, u shpall fajtor vitin e kaluar nga një gjykatë e Dilit për abuzim seksual të vajzave të reja jetime nën kujdesin e tij dhe u dënua me 12 vjet burg. /koha

Related posts

Izraeli kontrollon Bregun Perëndimor me armët robotike – VIDEO

admin

Navalny dërgohet në izolim të përhershëm

admin

Ministria e Financave i ekzekuton pagat, kërkon auditim për grevistët

admin