RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shefi i UNRWA-së: Situatë “shumë e vështirë” pasi nuk hyn ndihma në veri të Gazës

shefi-i-unrwa-se:-situate-“shume-e-veshtire”-pasi-nuk-hyn-ndihma-ne-veri-te-gazes

Sipas kreut të Agjencisë së OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini, është duke u bërë “shumë e vështirë” marrja e ndihmës për pjesën veriore të Rripit të Gazës dhe situata është “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Në një intervistë për Anadolu, shefi i UNRWA-së njoftoi sipas përllogaritjeve aktuale në Gazën veriore ende ka midis 250 dhe 300 mijë njerëz. Ai shtoi se është e “vështirë” të dihet saktësisht se sa kanë mbetur, por shumica dërrmuese kanë shkuar nga veriu në jug pas urdhrave të evakuimit nga Izraeli.

“Fatkeqësisht, që nga fillimi i pushtimit tokësor, ne kemi shumë pak informacion për situatën në veri”, tha Lazzarini.

Ai tha se UNRWA-së nuk është më e pranishme në zonë dhe ka kontakt vetëm përmes telefonit sa herë që linjat e komunikimit janë të hapura.

“Hera e fundit që ne kemi qenë në gjendje të organizojmë autokolona në veri ka qenë katër ose pesë ditë më parë, kur dërguam një kolonë në spitalin Al-Shifa përpara se spitali të rrethohej”, tha Lazzarini, duke shtuar se ishte “hera e vetme” që UNRWA kohët e fundit ishte në gjendje të dërgojë ndihma në Gazën veriore.

“Thirrja jonë vazhdimisht është që të ofrojmë ndihma kudo që të jenë njerëzit, nga Rafah në Beit Hanoun. Realiteti për momentin është se është bërë jashtëzakonisht e vështirë organizimi i ndihmës nga jugu në veri”, tha ai.

Lazzarini tha se ajo që është parë gjatë ditëve të fundit është se i ashtuquajturi “korridor humanitar” nga Gaza veriore në jug po funksionon vetëm në një drejtim, nga veriu në jug, me mijëra palestinezë të zhvendosur që po largohen nga rajoni i shkatërruar.

“Por nuk ka pasur asnjë mundësi për të shkuar në veri dhe kjo është një situatë jashtëzakonisht shqetësuese”, u shpreh ai.

“E gjithë përgjigja ndërkombëtare në rrezik”

Më tej, Lazzarini theksoi se as UNRWA-ja dhe as partnerët e tjerë nuk kanë ndonjë problem kapaciteti për dërgimin e ndihmave në Gaza, por kufizimet e Izraelit në furnizimet me karburant po rezultojnë të jenë një pengesë e madhe.

“Sa më pak të marrim (karburant), aq më e ndërlikuar po bëhet, sepse njerëzit do ta dinë se nevojat e tyre nuk do të adresohen dhe kjo do të nxisë përshpejtimin e kolapsit të rendit civil”, tha ai.

Siç theksoi ai, kjo është arsyeja pse ne pamë disa njerëz që hynë në magazina nga “paniku dhe dëshpërimi” tre javë më parë. Ai shtoi se situata vetëm do të përkeqësohet dhe operacionet humanitare do të bëhen “më të vështira” nëse vazhdojnë kufizimet izraelite.

“Sa më shumë presim karburantin, as më shumë e vëmë në rrezik të gjithë përgjigjen ndërkombëtare”, paralajmëroi ai.

Që kur Izraeli filloi bombardimin e Gazës më 7 tetor, të paktën 11.500 palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 7.800 gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 29.200 të tjerë janë plagosur.

Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar plotësisht në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Bllokada izraelite ka ndërprerë Gazën edhe nga furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë, si dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një rrjedhë të vogël.

Ndërkohë, numri zyrtar i vdekjeve izraelitë është rreth 1.200.

Sipas shifrave të vetë UNRWA-së, të paktën 103 punëtorë të saj janë vrarë gjithashtu në sulmet izraelite, ndërsa 64 objekte të saj janë dëmtuar, 70 për qind e tyre në jug të ligatinës Wadi Gaza.

Çdo nevojë në Gaza “rrjedh nga karburanti”

Lazzarini tha se autoritetet izraelite lejuan “vetëm një herë” një furnizim prej 23 mijë litrash të mërkurën, i cili mund të përdoret vetëm për kamionët për të lëvizur ndihmat që vijnë përmes kalimit kufitar Rafah.

“Ky karburant nuk do të bëjë asnjë ndryshim”, tha Lazzarini, duke shpjeguar se është vetëm 10 për qind e kërkesës ditore prej 120 mijë litrash.

Ai theksoi se sasia e nevojshme do të vazhdojë të rritet çdo ditë pasi shërbime më kritike po mbarojnë karburantin.

Sipas tij, UNRWA-ja ka theksuar në mënyrë të përsëritur nevojën për karburant, i cili është thelbësor për furnizimin me ujë dhe ushqim, si dhe për funksionimin e gjeneratorëve në spitalet dhe qendrat e UNRWA-së që strehojnë më shumë se 800 mijë palestinezë të zhvendosur.

“Ajo që u dha dje ishte teknikisht për dy ditë. Pra, është 10 për qind, por në realitet nevojat tona, tani, madje mund të rriten dhe të shkojnë përtej 220 mijë (litra), sepse edhe shumë prej shërbimeve komunale kanë mbetur pa karburant. Pra, karburanti që erdhi nuk është askund i mjaftueshëm për të mbajtur përgjigjen humanitare në vazhdim”, tha Lazzarini.

Ai gjithashtu theksoi se UNRWA-ja nuk ka marrë ndonjë angazhim nga pala izraelite për më shumë furnizime me karburant për dërgesat e ndihmave humanitare.

Shefi i UNRWA-së shpjegoi se nëse ai karburant është vetëm për kamionët, organi ndërkombëtar që drejton ai nuk do të jetë në gjendje të operojë, pasi siç theksoi ai, “gjithçka rrjedh nga karburanti”.

“Këtij karburanti për kamionët i kemi thënë po dje, me mirëkuptimin se karburantin do ta marrim për të gjitha aktivitetet e tjera kritike jetë-shpëtuese. Nuk ka ende një vendim për të cilin jam në dijeni. Sa më shumë të presim, aq më shumë ndikimi do të ishte katastrofik”, u shpreh ai.

Related posts

Osmani: Meja, dëshmi e pamohueshme e një synimi të tmerrshëm për vrasjen kolektive të një populli

rezart morina

KSHZ-ja shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, Siljanovska-Davkova zyrtarisht presidente e shtetit

RTI

Thahen lumenjtë e Evropës, sipas ekspertëve mund të jetë thatësira më e keqe në 500 vjet

admin