Besimi islam ngritët mbi monoteizmin e pastër dhe largimin nga çdo njollë e shirkut (politeizmit). Ky besim shprehet në shehadetin – dëshminë se nuk ka Zot të denjë pos Allahut dhe se Muhamedi, salallahu alejhi ve sel-lem, është rob dhe i dërguar i Tij.
Pjesa e parë e shehadetit, pra fjala “eshehdeu en la ilahe il-lall-llah” – dëshmoj se s’ka Zot të denjë pos Allahut do të thotë: t’i nënshtrohesh Allahut dhe t’i bindesh Atij, i Cili është i Vetëm, pa ortak.
Pjesa e dytë e shehadetit, pra, fjala “ve eshhedeu enne muhammeden abduhu ve resuluhu” – dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij nënkupton mënyrën se si t’i nënshtrohemi Allahut dhe ta adhurojmë Atë.
Shqiptimi i shehadetit është çelësi i hyrjes në fenë islame. Ditën e Kiametit asnjëri s’ka për të kaluar pa u pyetur për dy gjëra: “çka keni adhuruar? ” Dhe “a iu përgjigjët pejgamberëve?”
Përgjigja e të parës arrihet me realizimin e pjesës së parë të shehadetit “la ilahe il-lallah” s’ka Zot të denjë pos Allahut, duke njohur Allahun, duke pranuar me zemër dhe duke vepruar me gjymtyrë në bazë të kërkesave të kësaj fjale. Përgjigja e të dytës: me realizimin e pjesës së dytë të shehadetit “muhammedun resulull-llah” – Muhamedi është i Dërguar i Allahut, duke e njohur atë, duke e pranuar dhe duke e ndjekur rrugën e tij.
Kuptimi i shehadetit është: “nuk ka të adhuruar të denjë përpos Allahut”, sepse Ai është Krijuesi, Sunduesi, Furnizuesi, Dobiprurësi, Ndëshkuesi, Kontrolluesi i gjithësisë, për tërë këtë Ai është i vetmi që meriton të adhurohet.
Shehadeti ngritët mbi dy shtylla kryesore: Mohimin dhe Pohimin. Me fjalën “nuk ka Zot…” në fillim te shehadetit, mohojmë çdo adhurim që i drejtohet dikujt tjetër pos Allahut, kurse me fjalën “…pos Allahut” pohojmë se të gjitha llojet e adhurimit nuk i takojnë askujt pos Allahut.
Nuk ka dyshim se shehadeti është çelësi i Xhennetit dhe shpëtimi nga Xhehennemi. Mirëpo mos u mashtro vetëm me shqiptim, sepse kjo fjalë ka kushte ashtu siç ka çelësi dhëmbët e tij.
Kushtet e kësaj fjale janë si vijojnë:
- Dija dhe kuptimi i kësaj fjale që mënjanon injorancën: Allahu, subhanehu ve teala, hanehu ve teala thotë: “dije se nuk ka zot tjetër pos Allahut, kërko falje për mëkatin tënd” (Muhammed, 19). Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “kush vdes duke e ditur se nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut, do të hynë në Xhennet.”
- Bindja e prerë që mohon çdo mëdyshje. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Besimtarë janë vetëm ata që i besuan Allahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe për hir të Allahut luftuan me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit.” (Huxhurat, 15).
Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, i tha në një rast Ebu Hurejres: “ec me këto nalle (pasiqë i dha një palë) dhe çdonjërin që do të takosh pas këtij muri (e andej) i cili dëshmon se nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut, me bindje të plotë nga zemra, përgëzoje me Xhennet.”
- Pranimi i kuptimit të shehadetit që mohon çdo refuzim: patjetër të pranojmë kuptimin e kësaj fjale. Në të shumtën e rasteve shkak i mospranimit të kuptimit të kësaj fjalë është mendjemadhësia, inati, zilia dhe imitimi i etërve dhe gjyshërve. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Për arsye se kur u thuhej atyre: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut, ata e mbanin veten lart. Dhe thoshin: “A do t’i braktisim ne zotat tanë për një poet të çmendur?”” (Saffat, 35) po ashtu Allahu, subhanehu ve teala, na tregon për hakmarrjen e Tij ndaj atyre që nuk pranuan thirrjen e pejgamberëve të më hershëm: “Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje pejgamber në ndonjë vendbanim, që të mos i ketë thënë paria e begatshme e tij: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fé dhe ne jemi të orientuar gjurmëve të tyre”. Ai tha: “A edhe nëse u kam sjellë rrugë më të mirë nga ajo që i gjetët të parët tuaj?” Ata thanë: “Ne nuk i besojmë asaj me çka ju jeni dërguar!” Atëherë Ne ndërmorëm ndëshkime kundër tyre, e shih si ishte përfundimi i gënjeshtarëve.” (Zuhruf, 23, 25)
- Nënshtrimi që mohon mospërfilljen: robi i Zotit patjetër duhet t’i nënshtrohet kësaj fjale (shehadetit) me zemër dhe me trup në të gjitha aspektet e jetës. Ky kusht realizohet duke zbatuar urdhrat e Allahut dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Prej argumenteve që flet për këtë kusht është fjala e Allahut: “E kush ia dorëzon veten Allahut duke qenë edhe punë mirë, ai është kapur për lidhjen më të sigurt dhe vetëm tek Allahu është përfundimi i çështjeve.” (Lukman, 22)
- Sinqeriteti (sidk) në të shprehurit e kësaj fjalë që mohon çdo gënjeshtër e dyfytyrësi: patjetër të jesh i sinqertë kur shqipton shehadetin, të jetë në përputhje ajo që e thua me atë që e ke në zemër, për t’u dalluar nga hipokritët. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “Ka disa njerëz që thonë: “Ne i kemi besuar Allahut dhe jetës tjetër (Ahiretit), po në realitet ata nuk janë besimtarë. Ata përpiqen ta mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, po në të vërtetë ata nuk mashtrojnë tjetër, pos vetvetes, por ata nuk e hetojnë.” (Bekare, 8,9). Muhamedi, salallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “çdonjëri që dëshmon se s’ka sot që meriton adhurimin
përpos Allahut, me sinqeritet nga zemra e tij, Allahu ia ndalon zjarrin.”
- Dashuria ndaj kësaj fjale që mohon urrejtjen: duhet të duam këtë fjalë, të duam atë në çka aludon kjo fjalë, të duam atë që punojnë me këtë fjalë. Kjo dashuri nuk mund të plotësohet pa i dhënë përparësi gjithë asaj që e do Allahu ndaj epsheve dhe ëndjeve tona si dhe të urrejmë atë që urren Allahu dhe të kemi kujdes të mos veprojmë diç që e hidhëron Allahun. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “E nga njerëzit ka të tillë që në vend të Allahut besojnë idhujt, që i duan (i madhërojnë) ata, sikur (që besimtarët e vërtetë e duan) Allahun, po dashuria e
atyre që besuan Allahun është shumë më e fortë.” (Bekare, 165)
- Qëllimi i pastër (ihlasi) gjatë kryerjes së veprës, që mohon punën për sy e faqe dhe shirkun: Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zeqatin, se ajo është feja e drejtë.” (Bejjine, 5). Ebu Hurejre, radijallahu anhu, në një rast e pyeti Pejgamberin, salallahu alejhi ve sel-lem: “kush do të gëzojë më së tepërmi shefatin (ndërmjetësimin) tënd Ditën e Kijametit? Ai iu përgjigj: ma ka marrë mendja se asnjëri nuk do të më pyet për këtë gjë para teje o Ebu Hurejre, duke parë kujdesin tënd për hadithet. Njeriu që më së tepërmi do të gëzojë shefatin tim Ditën e Kijametit është ai që thotë: “la ilahe ilallah” – nuk ka të adhuruar me meritë pos Allahut – sinqerisht nga shpirti i tij.”
- Mohimi dhe mosbesimi i çdo gjëje që adhurohet pos Allahut: patjetër të mohojmë çdo gjë që adhurohet pos Allahut, dhe të deklarojmë se ky adhurim është i kotë, qoftë ai adhurim i ndonjë meleku, pejgamberi, të devotshmi apo ndonjë gurë, dru, planet, parti, fis, sistem apo diçka tjetër. Allahu, subhanehu ve teala, thotë: “E kush nuk i beson të pavërtetat e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm.” (Bekare, 256), kurse Pejgamberi, salallahu alejhi ve sel-lem, thotë: “kush thotë la ilahe il-lallah dhe mohon çdo gjë që adhurohet pos Allahut, sigurohet pasuria dhe
gjaku i tij, e llogaria për të është në Dorë të Allahut.”