RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkalla e lindjeve në Zvicër arrin nivelin më të ulët me 1,29 fëmijë për grua

shkalla-e-lindjeve-ne-zvicer-arrin-nivelin-me-te-ulet-me-1,29-femije-per-grua

Shkalla e lindjeve në Zvicër ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë në vitin 2024, me një mesatare prej 1,29 fëmijë për grua, sipas të dhënave të reja të publikuara sot nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), transmeton Anadolu.

Raporti nga zyra e statistikave tregon se lindjet kanë rënë vazhdimisht vitet e fundit, veçanërisht në familjet që kanë fëmijën e tretë. Midis viteve 2019 dhe 2024, numri i lindjeve të para ka rënë me 8,5 për qind, i të dytave me 9 për qind dhe i të tretave me 13,6 për qind, ndërsa lindjet e katërta dhe ato pasuese kanë rënë me 5m8 për qind.

FSO-ja vuri në dukje se gjatë dekadës së fundit, gratë e moshës 35–39 vjeç kanë regjistruar shkallë më të larta pjellorie sesa ato 25–29 vjeç, duke theksuar kështu prirjen drejt mëmësisë në moshë më të vonshme.

Hulumtimi gjithashtu ka zbuluar një rënie të dukshme të dëshirës për të pasur fëmijë mes të rinjve.

Në vitin 2013, vetëm 6 për qind e personave të moshës 20–29 vjeç thonin se nuk donin fëmijë; në vitin 2018 kjo shifër është rritur në 8 për qind, ndërsa në 2023 ka arritur në 17 për qind. Tek të moshës 30–39 vjeç, përqindja është rritur nga 9 për qind në 16 për qind në të njëjtën periudhë.

Pavarësisht rënies së përgjithshme, modeli i familjes me dy fëmijë mbetet ideali më i zakonshëm në Zvicër. Numri i preferuar i fëmijëve ndryshon shumë pak mes grave dhe burrave, apo sipas nivelit arsimor, rajonit gjuhësor ose vendbanimit (urban/rural). Vetëm personat pa një partner të qëndrueshëm shprehen më shpesh se duan të mbeten pa fëmijë.

Raporti gjithashtu shqyrtoi qëndrimet ndaj prindërisë, duke zbuluar se 41 për qind e të anketuarve të moshës 20–39 vjeç besojnë se të kesh fëmijë (tjetër) do të rriste kënaqësinë në jetë, ndërsa 21 për qind kanë frikë nga një ndikim negativ. Megjithatë, 51 për qind presin që lindja e fëmijëve të dëmtojë karrierën e tyre, një shqetësim që ka mbetur i qëndrueshëm gjatë viteve të fundit.

Kushtet financiare, cilësia e marrëdhënies dhe ndarja e punëve shtëpiake dhe kujdesit për fëmijët mes partnerëve janë përmendur si faktorët kryesorë që ndikojnë në vendimet për prindërim, sipas FSO-së.

Related posts

Çavuşoğlu: Qëndrimi ynë lidhur me ujgurët ka dëmtuar raportet me Kinën

admin

Greqia drejt plakjes, ka numrin më të madh të moshuarve në Evropë

admin

18 gusht 1920, dita kur gratë amerikane nisin të kenë të drejtë vote

admin