RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkëlqeu në besnikërinë ndaj Ramës, dështoi në rend dhe siguri

shkelqeu-ne-besnikerine-ndaj-rames,-deshtoi-ne-rend-dhe-siguri

Pa afera korruptive, por me pikëpyetje për integritetin profesional

Besfort Lamallari largohet nga Ministria e Brendshme pas vetëm gjashtë muajsh në detyrë, por bilanci i tij nuk matet vetëm me kohën e shkurtër të qëndrimit në zyrë.

Ai do të mbetet një nga figurat e qeverisë Rama që nuk u shoqërua publikisht me afera korruptive të profilit të lartë, por edhe si një zyrtar që, në momentet kur duhej të shfaqte pavarësi institucionale, dha më shumë prova të afërsisë politike me kryeministrin sesa të një distance të qartë prej tij.

Lamallari mbërriti në Ministrinë e Brendshme në mars, pas një karriere të gjatë në administratën e Ramës, ku kishte shërbyer si zëvendësministër i Brendshëm dhe më pas si ministër i Drejtësisë.

Gjashtë muaj më vonë, Rama e largon nga ministria dhe e merr në Kryeministri, duke e përshkruar jo si një dalje nga ekipi, por si një kalim në “stolin” e tij.

Vetë Lamallari e konfirmoi këtë marrëdhënie besimi, duke falënderuar kryeministrin për besimin gjatë dhjetë viteve dhe duke thënë se ishte përpjekur “të mos e zhgënjente”.

Por këtu nis edhe problemi politik i bilancit të tij. Në një sistem ku Ministri i Brendshëm duhet të jetë mbi të gjitha garant i ligjit, rendit dhe trajtimit të barabartë të qytetarëve nga shteti, një lidhje kaq e theksuar politike me kryeministrin ngre një pyetje të pashmangshme: kujt i detyrohet më shumë besnikëri ministri, ligjit apo kreut të qeverisë?

Por edhe në funksionin e tij kryesor, atë të rendit dhe sigurisë publike, gjashtë muajt e Lamallarit nuk prodhuan ndonjë bilanc të dukshëm pozitiv.

Periudha u shoqërua me një situatë të rënduar nga zjarret, që në disa raste shkaktuan dëme të mëdha dhe vunë në pikëpyetje kapacitetet e reagimit të shtetit. Në të njëjtën kohë, aksidentet rrugore, vrasjet dhe aktiviteti i trafikut të drogës vijuan të mbeten probleme serioze të sigurisë publike.

Sigurisht, jo çdo zjarr, aksident apo vrasje mund t’i faturohet personalisht ministrit të Brendshëm. Por një ministër nuk vlerësohet vetëm për ngjarjet që mund të kontrollojë drejtpërdrejt.

Ai vlerësohet edhe për aftësinë e institucioneve që drejton për t’i parandaluar, menaxhuar dhe për t’iu përgjigjur këtyre fenomeneve. Dhe në këtë pikë, është e vështirë të flitet për ndonjë kthesë të dukshme gjatë periudhës së tij të shkurtër në detyrë.

Lamallari mund të ketë një bilanc relativisht më të pastër se shumë emra të tjerë të kabinetit për sa u përket aferave korruptive të bëra publike. Por kjo, në vetvete, nuk mjafton për një ministër të Brendshëm.

Integriteti institucional nuk matet vetëm me mungesën e një dosjeje korruptive por edhe me aftësinë për të ruajtur pavarësinë e institucionit, për t’i rezistuar presionit politik dhe për të garantuar rezultate në rendin dhe sigurinë e qytetarëve.

Një rast që ngre pikëpyetje në këtë drejtim është çështja e disa shqiptarëve nga Maqedonia e Veriut, ndaj të cilëve u raportua vendosja e masave që u ndalonin hyrjen në Shqipëri. Ata kishin qenë kritikë ndaj Ramës dhe kishin mbështetur protestat e përnatshme pranë zyrës së kryeministrit.

Nëse një vendim administrativ i tillë do të ishte përdorur si instrument për t’iu përgjigjur kritikëve politikë, atëherë çështja do të shkonte përtej një vendimi individual dhe do të prekte një parim themelor: kufirin mes autoritetit të shtetit dhe interesit politik të pushtetit.

Pikërisht për këtë arsye, Lamallari mund të mos mbahet mend për ndonjë aferë të madhe korruptive personale, por rrezikon të mbahet mend për një tjetër dimension të politikës shqiptare: si një zyrtar që nuk e ndërtoi profilin e tij mbi përplasjen me kryeministrin për hir të zbatimit të ligjit, por mbi besimin dhe besnikërinë politike ndaj tij. /tesheshi

Related posts

OKB: Situata humanitare në Kubë rrezikon të përkeqësohet për shkak të mungesës së naftës

admin

Lajçak këtë javë në Kosovë dhe Serbi

Muhamet Ramadani

49 alarme për bomba nëpër shkolla dhe kopshte

admin