RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkup, qytetarët marshojnë kundër ndodhive në Klinikën për Onkologji – VIDEO

shkup,-qytetaret-marshojne-kunder-ndodhive-ne-kliniken-per-onkologji-–-video

Qindra qytetarë kanë marshuar në kryeqytetin Shkup në shenjë proteste kundër mënyrës se si funksionon Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, raporton Anadolu.

Qytetarët u organizuan përmes rrjeteve sociale, ndërsa protesta vjen pas dyshimeve dhe raportimeve mediatike për trajtim jo të duhur të pacientëve, keqpërdorim të detyrës nga stafi mjekësor, vjedhje dhe rishitje ilegale të barnave brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët u mblodhën para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Ata mbanin pankarta ku shkruhej “Vrasës për fitim”, “Kjo është doza juaj e fundit”, “Sa vlen jeta e njeriut”, “Onkologji = gjenocid”.

Demonstruesit me ngjyrë të kuqe shkruan “Vrasës” në rrugën që kalon para Qeverisë. Një protestues, i cili tha se humbi nënën e tij nga kanceri i gjirit disa ditë pas trajtimit me kimioterapi, fajësoi stafin për trajtim joadekuat, duke shtuar se ai duhej të kujdesej vetë për nënën e tij.

“Nuk arrita të luftoj për nënën time, por do të luftoj për të gjitha nënat dhe baballarët tuaj që vuajnë nga kanceri. Kjo çmenduri duhet të ndalet, kjo çmenduri duhet të marrë fund”, tha ai, duke fajësuar qeverinë se “nuk ka arritur t’i largojë mjekët e korruptuar”.

Demonstruesit më pas kanë marshuar drejt Prokurorisë Publike Themelore (PPTH), ku kanë kërkuar që ky institucion të ndjekë penalisht të gjithë personat e përfshirë.

Ata thanë se “vjedhja e barnave në onkologji nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ndërsa para godinës së prokurorisë me të kuqe shkruan “Pjesëmarrës në krim”.

Në shenjë proteste, disa prej demonstruesve hodhën vezë në drejtim të ndërtesës së prokurorisë, ndërsa forca të shumta policie formuan një kordon si para Qeverisë, ashtu edhe para prokurorisë.

Autoritetet kërkojnë zgjidhje gjyqësore, opozita kërkon dorëheqje

Për zhvillimet në Klinikën Universitare për Radioterapi dhe Onkologji ka reaguar presidenti Stevo Pendarovski. Në reagimin e lëshuar nga Zyra e Presidentit thuhet se klinika “në vend që të ofrojë mbështetje dhe mbrojtje të plotë për ata persona që përballen me diagnozën më të vështirë, sistemi shëndetësor qartazi ka dështuar”.

Pendarovski bëri thirrje për përfundimin e shpejtë dhe efikas të hetimeve dhe procedurave gjyqësore, pa selektivitet.

Ndërkaq, kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se bëhet fjalë për “krim që duhet zbardhur”, duke shtuar se “për herë të parë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria kanë hyrë dhe kanë kryer aksion për mbledhjen e provave në lidhje me akuzat dhe dyshimet publike”.

Zbardhjen e shpejtë të skandalit e ka kërkuar edhe ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

VMRO-DPMNE-ja opozitare akuzoi qeverinë se edhe pse kanë ditur për ndodhitë në onkologji, me të cilat është rrezikuar jeta e njerëzve, sërish kanë heshtur. Kjo parti njoftoi se do të ngrejë një komision hetimor në Kuvend për këtë rast dhe se do të ketë përgjegjësi penale dhe politike.

Related posts

Historiani francez: Izraeli shkatërroi kulturën 4000-vjeçare në Gaza

admin

Për herë të parë nga fillimi i luftës, Putin mund të dalë nga Rusia

admin

Mblidhet Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë COVID-19, ​kërkohet mobilizim për përballimin e valës eventuale

admin