Gjatë ditës së sotme në Shkup vazhdon takimi ministerial dyditor i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), me seancën e tretë plenare, ku do të miratohen dokumentet dhe vendimet e Këshillit Ministerial, si dhe me takime dhe ngjarje që do të zhvillohen në margjinat e këtij takimi vjetor, raporton Anadolu.
Paraditën e sotme, kryesuesi i OSBE-së dhe ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, takohet me partnerët aziatikë, respektivisht me delegacionet e OSBE-së nga Afganistani, Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajlanda.
Në seancën plenare do të adresohen krerët e delegacioneve të vendeve pjesëmarrëse në OSBE dhe më pas do të miratojnë dokumentet dhe vendimet nga ky takim dyditor i OSBE-së. Në takimet që do të mbahen në margjinat e Këshillit Ministerial do të diskutohet për çështje mbi të rinjtë dhe shoqërinë civile, ndikimi për operacionet në terren të OSBE-së, si dhe për sigurinë e femrave gazetare.
Po ashtu, siç është paralajmëruar, ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, do të adresohet në një konferencë për media. Dje, në fjalimin e tij në seancën plenare të OSBE-së, Lavrov kritikoi OSBE-në, duke theksuar se organizata është në një “situatë të mjerueshme” dhe në “buzë të humnerës”.
“Për fat të keq, elitat politike perëndimore, të cilat kanë përvetësuar të drejtën për të përcaktuar fatin e njerëzimit, kanë bërë një zgjedhje të pakujdesshme në favor të NATO-s, jo në favor të OSBE-së”, tha Lavrov.
Në fund të Këshillit Ministerial, në konferencën përfundimtare për media pritet të flasin ministri Osmani, ministri i Punëve të Jashtme i Maltës, Ian Borg, i cili do të kryesojë me OSBE-në vitin e ardhshëm, si dhe sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid.
Takimi i OSBE-së në Shkup zyrtarisht filloi dje, ndërsa kanë marrë pjesë rreth 1 mijë persona nga gjithsej 76 delegacione, prej të cilave 57 janë shtete pjesëmarrëse në këtë organizatë.
Maqedonia e Veriut kryesoi me OSBE-në gjatë vitit 2023 ndërsa punimet i kreu me sloganin “Fjala është për njerëzit”. Vitin e ardhshëm, kryesimi me OSBE-në pritet të kalojë tek Malta.