Partitë opozita nuk kanë gjetur ende darkordim sa i përket shpërndarjes së Kuvendit, derisa në anën tjetër pushteti është deklaruar se po pret unifikim të këtyre të fundit.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se nuk ka kërkesë zyrtare për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas saj, ka kërkesë vetëm për debat për 3 vjet qeverisje, e cila pritet të trajtohet ditën e premte.
Kusari-Lila ka thënë se e përkrahin shpërndarjen e Kuvendit nëse ka unitet brenda partive opozitare.
“Ne asnjëherë nuk kemi thënë që kemi frikë nga shkuarja në zgjedhje apo rikonfirmimi i mandatit te sovrani, por nuk mund ta bëjmë këtë me vetëm një grup parlamentar të opozitës. Nëse është një opozitë e bashkuar që kërkon shpërndarjen e Kuvendit, mund të dakordohemi për datën e përbashkët”, ka thënë ajo.
Ajo pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se janë dakorduar për dy seanca gjatë kësaj jave. Sipas saj seanca e parë është caktuar për të enjten, ku do të jetë vazhdim i seancës për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Të premten, sipas Kusari-Lilës, do të mbahet seanca tjetër e rregullt ku do të nis me debat.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se janë në afatet e fundit kur duhet të procedohet mocioni për shpërndarjen e Kuvendit.
Sipas tij, 30 maji është data e fundit kur duhet të shpërndahet Kuvendi.
“Deri më tani ende nuk jemi në situatë kur kemi një dakordim që vendi të shkojë në zgjedhje. Si GP jemi në një komunikim intensiv me të gjitha palët në mënyrë që këto data të mos i humbim dhe Kosova të shkojë në zgjedhje qoftë më 30 qershor, qoftë më 7 korrik”, ka thënë ai.
Sipas tij, nuk ka kuptim që të shkohet në zgjedhjet gjatë muajve tetor, nëntor.
Ka shtuar se “fillimi i kësaj vere është periudha e fundit kur vendi ynë duhet t’u drejtohet kutive të votimit në zgjedhje të parakohshme”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti e sheh si shumë të rëndësishme që “të dekodohet pazotësia, joprofesionalizmi dhe kryeneçësia e Qeverisë”.
Sipas tij, shpërbërja e Kuvendit në këtë fazë nënkupton dalje për Qeverinë Kurti.
“Shpërbërja vjen vetëm atëherë kur arrijmë që të shkarkojmë një qeveri të dëmshme, vetëm atëherë kur do të dorëhiqet”, ka thënë ai.
Tahiri e ka akuzuar Kurtin për dështim, që sipas tij, do t’ia faturojë Kuvendit.
“Ne jemi në vit zgjedhor. Për 3-4 muaj më së largu duhet të shpallet data e zgjedhje. Kosova është në zgjedhje. Z. Kurti e di që ka dështuar dhe dështimin e tij do t’ia faturojë Kuvendit të Kosovës duke u viktimizuar dhe opozitës duke ia vënë gishtin”, ka shtuar ai.