RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Koreja Veriore teston raketat në kufi me Jugun

koreja-veriore-teston-raketat-ne-kufi-me-jugun

Koreja e Veriut ka lansuar më shumë se 200 predha artilerie pranë kufirit të tensionuar detar me Korenë e Jugut, ka njoftuar ushtria verikoreane të premten. Banorët e dy ishujve të Koresë së Jugut janë urdhëruar që të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Si reagim ndaj predhave të Koresë së Veriut, ushtria e Koresë së Jugut kreu stërvitje “të përshtatshme” artilerie, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes në Korenë e Jugut.

Një zyrtar në ishullin Jeonpyeong ka deklaruar se me kërkesë të ushtrisë së Koresë së Jugut u urdhërua evakuimi për të zhvendosur banorët në strehimore.

Predhat e Koresë së Veriut nuk shkaktuan dëme civile apo ushtarake, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut në konferencën për media.

“Ky është akt provokimi që përshkallëzon tensionet dhe kërcënon paqen në Gadishullin Korean”, ka thënë zëdhënësi i Shtabit të përgjithshëm i Koresë së Jugut, Lee Sung-jun.

Të gjitha predhat e artilerisë së Koresë së Veriut ranë në anën veriore të kufirit detar, ka thënë Lee, duke shtuar se ushtria e Koresë së Jugut, në bashkëpunim me ushtrinë amerikane, po monitoron lëvizjet e Koresë së Veriut përgjatë bregdetit të saj.

Stërvitja detare e Koresë së Veriut pranë kufirit shkel marrëveshjen e vitit 2018. Ekspertët kanë thënë se Koreja e Veriut mund të intensifikojë testet e saj të armëve në muajt e ardhshëm, duke përshkallëzuar tensionet në Gadishullin Korean para zgjedhjeve parlamentare të Koresë së Jugut në prill dhe zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara në nëntor.

Marrëveshja e vitit 2018 mandaton Seulin dhe Phenianin t’iu japin fund stërvitjeve me municione të drejtpërdrejta dhe vëzhgimit ajror në zonat e ndalimit të fluturimeve dhe zonat mbrojtëse që ata kanë krijuar përgjatë kufirit. Marrëveshja, megjithatë, është në rrezik të prishjes pasi dy vendet filluan të përplasen pas lëshimit të parë të suksesshëm të satelitit përgjues ushtarak të Koresë së Veriut në nëntor.

​Koreja e Jugut ka akuzuar Korenë e Veriut për rivendosjen e posteve të rojave kufitare, si dhe për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjes me ushtrime artilerie, duke përfshirë një në dhjetor 2022 në bregdetin lindor të Gadishullit Korean.

Në një takim të partisë në pushtet në fund të dhjetorit, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, sulmoi ashpër Korenë e Jugut.

Ai kishte thënë se Koreja e Jugut nuk duhet të konsiderohet partner për pajtimin ose unifikimin dhe urdhëroi ushtrinë të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion – përfshirë armët bërthamore – për të pushtuar Korenë e Jugut në rast të ndonjë konflikti.

“Koreja e Veriut tani është në fazën e gjetjes së justifikimit për provokim pasi kundërshtoi marrëveshjen ushtarake të vitit 2018”, ka thënë Lee Sang Suk, profesor në Institutin për Punë të Jashtme dhe Sigurinë Kombëtare.

Ekspertët kanë thënë se diktatori Jong-un ka të ngjarë të shpeshtojë testet e armëve përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA, duke besuar se rritja e aftësive ushtarake do të rriste shanset e tij për lëshime nga SHBA-ja nëse rizgjidhet ish-presidenti Donald Trump. /koha

Related posts

Myftiu Tërnava priti disa prej nxënësve të Akademisë “Hifdh Kids’”

admin

Hamasi kërkon që Turqia, Katari, Egjipti, Rusia dhe OKB-ja të jenë garantues për propozimin për armëpushim

admin6

Sekretari Blinken takohet në Washington me homologun indian Jaishankar

rezart morina