RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri, mbahet sërish protestë antiqeveritare

shqiperi,-mbahet-serish-proteste-antiqeveritare

Në Shqipëri është mbajtur sërish protestë antiqeveritare, nën organizimin e partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë, ndërkohë protesta është shoqëruar edhe me incidente dhe tensione, raporton Anadolu.

Me sloganin “Shqipërisë i dalim zot”, protesta para selisë së Kuvendit të Shqipërisë sipas organizatorëve është mbajtur për mbrojtjen e “demokracisë, pluralizmit dhe votës së lirë”.

Gjatë protestës u shënuan tensione, pasi protestuesit kanë hedhur tymuese dhe mjete të tjera plasëse, ndërkohë kanë tentuar të çajnë edhe kordonin policor.

Tensionet filluan që para nisjes së seancës parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, ku disa deputetë të Partisë Demokratike që ishin përjashtuar më parë nga punimet parlamentare, nuk u lejuan nga punonjësit e Gardës së Shqipërisë që të hynin në sallën e seancave plenare.

Tetë deputetë të opozitës janë përjashtuar më parë nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë, për shkak të tensioneve në seancën parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë të datës 2 shkurt.

Protesta është mbështetur edhe nga parti të tjera opozitare të vendit, ndërkohë pjesë e saj ishin edhe deputetë të opozitës dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Edhe seanca e sotme parlamentare, e cila në rend të ditës kishte për diskutime çështje të evidentuara nga zgjedhësit, u shoqërua me disa tensione, pasi deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren.

Deputetët e opozitës gjithashtu akuzojnë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, sipas tyre, për lidhje dhe korrupsion me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Kujtojmë se në Tiranë u mbajt një protestë antiqeveritare edhe më 11 shkurt, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës dhe me mbështetjen e partive të tjera opozitare.

Related posts

Rritet ndjeshëm numri i rasteve të kontrabandës së refugjatëve në Gjermani, DW: Kjo ka rënduar gjyqësorin gjerman

admin

Viktor Orban akuza liderëve tw BE: Po marrin një rol gjithnjë e më aktiv në konfliktin në Ukrainë

admin

Kurti: Dialogu s’mund të vazhdojë sikur s’ka ndodhur asgjë

admin