RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri, nga 27 vatra zjarri të raportuara në 24 orët e fundit, 5 vijojnë të jenë aktive

shqiperi,-nga-27-vatra-zjarri-te-raportuara-ne-24-oret-e-fundit,-5-vijojne-te-jene-aktive

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 27 vatra zjarri, 5 prej të cilave vijojnë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën monitorim, transmeton Anadolu.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale, derisa në mbështetje të operacioneve janë vënë gjithashtu 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 4 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.

Në Cikallesh të bashkisë Kavajë vijon puna për shuarjen e vatrave të mbetura, ndërsa situata nuk paraqitet problematike dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, zjarri në aksin Panahor–Ndrenie–Vlosh është nën kontroll. Nën kontroll është vendosur edhe zjarri në zonën Koilaç–Greshicë/Hekal, pa rrezik për zonat e banuara.

Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, operacioni po vijon me mbështetje ajrore nga një helikopter i Forcës Ajrore, por në afërsi të vatrës nuk ka banesa dhe nuk paraqitet rrezik i drejtpërdrejtë për komunitetin.

Gjithashtu, në Vilëz të bashkisë Kurbin zjarri vijon aktiv derisa ndërhyrja e dy helikopterëve të FA-së gjatë ditës së djeshme ka frenuar avancimin e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën e afërt, varrezat dhe banesat.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar plotësisht edhe disa vatra të tjera, ndërsa ndërhyrje të suksesshme janë kryer në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin dhe koordinimin e operacioneve në terren, me prioritet mbrojtjen e jetës së njerëzve, banesave dhe zonave të banuara.

Related posts

SHBA “kundër operacionit” tokësor në Rafah

admin

AUV paralajmëron ndëshkime për shitjen dhe therjet ilegale të kafshëve

RTI

Aksidenti me pesë viktima në Greqi, zbardhet identiteti i shqiptarëve që humbën jetën

Muhamet Ramadani