RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëri: Shuhen 17 vatra zjarri, disa vijojnë të mbeten problematike

shqiperi:-shuhen-17-vatra-zjarri,-disa-vijojne-te-mbeten-problematike

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e Shqipërisë njoftoi sot se, si rezultat i punës së pandërprerë të forcave operacionale, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 17 vatrave të zjarrit në territorin e vendit.

Megjithatë, AKMC-ja shtoi se disa vatra vijojnë të mbeten problematike.

Në një informim publik për situatën e zjarreve në vend, AKMC-ja bëri të ditur se, prej ditës së djeshme, vijon puna nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile për shuarjen e zjarrit në fshatin Zogaj të bashkisë së Tropojës.

Rreth 100 Forca të Armatosura u janë bashkuar përpjekjeve të nisura prej dje, të forcave dhe kapaciteteve operacionale të pushtetit vendor të mbështetura nga tre helikopterët e KFOR-it bashke me një ekip nga Kosova. Falë këtyre përpjekjeve është bërë e mundur shmangia e rrezikut për banesat e lagjes Hajdarmataj.

Po ashtu, puna e forcave operacionale ka bërë që të shmanget kalimi i flakëve drejt banesave në vatrat e zjarrit në fshatin Malecaj dhe fshatin Torovicë, në bashkinë Lezhë, ku gjithashtu janë angazhuar në ndihmë të pushtetit vendor efektivë të FA-së.

Po punohet nga forcat në një tjetër vatër aktive në fshatin Hoten, Vau Dejës, në vendgrumbullimin e mbetjeve të bashkisë së Vlorës, për të cilin janë angazhuar kapacitetet në nivel qarku të mbështetura nga kapacitete të pushtetit qendror si dhe në një vatër zjarri në bashkinë Konispol, fshati Shalës.

AKMC-ja u bën thirrje për angazhimin maksimal për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri të gjitha institucioneve dhe strukturave të sistemit të mbrojtjes civile si dhe qytetarëve që të raportojnë në kohë në numrat e emergjencave për çdo problematikë.

Related posts

Administrata e Presidentit Biden do t’i dërgojë Izraelit një paketë të re ndihme ushtarake prej më shumë se 1 miliard dollarësh

admin

Tajvan, 52 persona akoma të zhdukur pas tërmetit të fuqishëm

rezart morina

Kurti mori pjesë në pritjen lamtumirëse të Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Sllovakisë

RTI