Në Shqipëri është mbajtur një stërvitje e përbashkët mbi sigurinë kibernetike, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Estonia, transmeton Anadolu.
Ndërkohë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Presidenti i Estonisë, Alar Karis, kanë ndjekur nga afër stërvitjen për sigurinë kibernetike, në ambientet e “Europe House” në Tiranë.
“Kjo stërvitje tregon për angazhimin e Shqipërisë për të forcuar kapacitetet dhe aftësitë kibernetike. Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian ka dhënë një kontribut tejet të rëndësishëm në ndërtimin dhe forcimin e këtyre kapaciteteve”, thuhet në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë.
Më tej theksohet se projekti në fjalë synon të kontribuojë në përmirësimin e qëndrueshmërinë kibernetike të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, sipas standardeve më të mira evropiane.
Sipas një njoftimi nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, trajnimi në fjalë është pjesë e Projektit të Reagimit të Shpejtë të financuar nga Bashkimi Evropian (BE), për përmirësimin e qëndrueshmërisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.