RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan” – VIDEO

“shqiperia-eshte-e-perkushtuar-ne-misionin-e-saj-si-faktor-stabilizues-ne-ballkan”-–-video

Në kuadër të fillimit të stërvitjes ushtarake “Defender Europe 2023”, në Shqipëri është organizuar Dita e Vizitorëve të Shquar, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe përfaqësuesve të ushtrisë së Shqipërisë dhe ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), ku janë ekspozuar edhe mjete dhe pajisje të ndryshme ushtarake, raporton Anadolu.

Në fjalën e tij përshëndetëse në aktivitetin e mbajtur në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se “Defender Europe” lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti apo kërcënimi.

“Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse. Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre. Prandaj dhe rëndësia e kësaj stërvitjeje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme”, tha Begaj.

Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij tha se zhvillimi i kësaj stërvitjeje me praninë e trupave shumëkombëshe, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është sipas tij njëkohësisht dhe shprehje e unitetit të madh dhe vendosmërisë së palëkundur të të gjithë komunitetit euro-atlantik “për të mbrojtur me çdo kusht vlerat dhe parimet mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë shoqëritë tona”.

“Shqipëria ka nderin të presë për herë të dytë stërvitjen më të madhe ushtarake në Evropë, ‘Defender Europe 2023’ dhe ky është një privilegj i posaçëm për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilat janë pritëse dhe pjesëmarrëse të kësaj stërvitjeje, e cila për herë të dytë vë në pah edhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë edhe mbështetjes së paçmuar të aleatëve tanë amerikanë dhe te aleatëve të tjerë të vendeve të NATO-s”, u shpreh Rama.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në fjalën e tij u shpreh se “Defender Europe 2023” është një stërvitje e përmasave të jashtëzakonshme, në të cilën sipas tij ndihen krenarë të marrin pjesë pas suksesit të plotë të arritur dy vite më parë me “Defender Europe 2021”.

“Shpresoj shumë që stërvitje të tilla të kthehen në një traditë që padyshim do të shërbejnë për mbajtjen në gatishmëri të forcave të armatosura, por edhe për përforcimin e ndërveprimit dhe bashkëpunimi ndërmjet forcave aleate dhe NATO-s në përballje me situata dhe skenarë nga më të vështirët. Stërvitja ‘Defender Europe 2023’ është një stërvitje shumëkombëshe, shumë dimensionale, e drejtuar nga ushtria amerikane, në të cilën është përfshirë personeli elitë i ushtrive të 26 vendeve mike dhe aleate. Mes tyre me dinjitet dhe profesionalizëm të lartë, po përfaqësohet edhe personeli ushtarak i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë pjesë e rëndësishme e kësaj stërvitjeje”, tha Peleshi.

– “Shqipëria është aleat i NATO-s dhe një partner i shquar për paqen”

Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të SHBA-së për Evropën dhe Afrikën, Michael Wickman, tha se mezi presin që të vazhdojnë angazhimin me Shqipërinë në të ardhmen për të fuqizuar partneritetin dhe miqësinë, sipas tij, çka kontribuon në paqen dhe sigurinë globale.

“Do të doja për të shfrytëzuar këtë mundësi për të falënderuar Shqipërinë për angazhimin e saj impresionues për paqen dhe sigurinë globale. Shqipëria është aleat i NATO-s dhe një partner i shquar për paqen qoftë në nivel rajonal, por dhe global”, theksoi Wickman.

Një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneral brigade Arben Kingji dhe ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim.

Në aktivitet u ekspozuan mjete dhe pajisje të ndryshme ushtarake të ushtrisë së Shqipërisë dhe ushtrisë amerikane, duke tërhequr edhe interesin e qytetarëve.

Stërvitja “Defender Europe 2023” e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA-së fillon më 22 maj dhe pritet të mbyllet më 2 qershor dhe pjesë e saj do të jenë mijëra trupa shumëkombëshe, në territorin e disa vendeve evropiane, përfshirë edhe Shqipërinë.

Stërvitja e përbashkët shumëkombëshe është projektuar, sipas organizatorëve, për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë midis aleatëve dhe partnerëve të NATO-s.

Related posts

Grabitje e armatosur në një pompë derivatesh në Prishtinë

admin

BE akordon 500 milionë euro financim për bujqësinë dhe strehimin në Ukrainë

admin

Zbulohet një tunel sekret nën një sinagogë në New York

admin6