Shqipëria deri më 30 nëntor të vitit 2022, arriti shifrën e 7.1 milionë vizitorëve të huaj.
“Deri më 30 nëntor kemi mbërritur në shifrën e 7.1 milionë turistëve të huaj dhe besoj që me këtë, kemi shënuar një rekord që kalon pritshmëritë tona. Kjo ende nuk është shifra finale, sepse muaji dhjetor, sipas atyre që thoni dhe ju, parashikohet sërish të jetë plot me vizitorë. Ka qenë një vit që filloi me optimizëm në janar dhe na trembi në shkurt, kur filloi një luftë shumë e egër, lufta në Ukrainë”, u shpreh ministrja e turizmit Mirela Kumbaro.
Ajo gjithashtu bëri me dije se në prill të vitit që vjen Shqipëria do të presë Forumin Global të Turizmit në Tiranë, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit, nën kujdesin e sekretarit të kësaj organizate Zurab Pololikashvili dhe kryeministrit Edi Rama, sikundër foli edhe për promovimin që do t’i bëhet Shqipërisë në mediet ndërkombëtare.