RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëria notë verbale ndaj Britanisë së Madhe mbi deklaratat për shqiptarët të ministrit britanik

shqiperia-note-verbale-ndaj-britanise-se-madhe-mbi-deklaratat-per-shqiptaret-te-ministrit-britanik

Shqipëria i ka dorëzuar një notë verbale Britanisë së Madhe, në lidhje me deklaratat për shqiptarët të ministrit britanik të Shtetit për Emigracionin, Robert Jenrick, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftim nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë (MEPJ), thuhet se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith, i është dorëzuar sot një notë verbale në MEPJ.

“Përmes kësaj note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e ministrit të Shtetit për emigrimin, Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik, Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme “kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare”.

“Vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një gamë të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri”, theksohet më tej.

– “Janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por disa edhe kriminelë të rrezikshëm”

Kujtojmë se në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ministri britanik, Jenrick, tha se po punojnë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë, duke theksuar se “Janë jo vetëm emigrantë të paligjshëm, por disa edhe kriminelë të rrezikshëm të dënuar për drogë”.

Deklaratat e zyrtarit britanik kanë shkaktuar reagime të autoriteteve shqiptare, ku ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në një reagim në rrjetet sociale, ka theksuar: “Veçim i turpshëm i një komuniteti nga një ministër me parime demokratike që sjell kujtime të tmerrshme me një brutalitet të padurueshëm”.

Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan disa javë më parë deklaratën e përbashkët mbi “thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të përbashkët”, duke përfshirë edhe çështjen emigracionit të paligjshëm, çështje që ka shkaktuar debate dhe reagime në javët e fundit në Britani dhe Shqipëri.

Related posts

Kanadaja ua ndalon hyrjen mbi 10.000 zyrtarëve të lartë të Gardës Revolucionare të Iranit

admin

Komshiç lidhur me pranimin e Qeverisë së Kroacisë: Më në fund gjërat dolën në sipërfaqe

admin

“Zvicra do të mbështesë procesin e paqes së Ukrainës”

admin6